
Nga Justinian Topulli
Fundi i një magjistari
Më së fundi disa ramistëve nga radhët tona iu është mbyllur goja. Ndoshta po e kuptojnë, së fundmi, se ky njeri ka qenë zgjedhja më e gabuar politike që kanë bërë në jetë. Kështu po ndodh edhe me shumë prej ithtarëve të tij partiak, por kanë mbetur ende vetëm skllevërit dhe të yshturit, që nuk u ka dalë akoma magjia e Ram(sesit).
Është e vërtetë se Rama mund t’iu jetë dukur politikani më atipik dhe ambicioz shqiptarëve; sepse është nga më të rrallët që ka qeverisur mjeshtërisht përmes fasadave, aq sa të magjepsë një pjesë të madhe të njerëzve, duke e besuar si “Mesinë” e shqiptarëve. Por magjia është një iluzion mashtrues që nuk të ngop barkun dhe as nuk ndryshon realitetin, dhe një ditë ajo e humbet forcën dhe nuk mashtron më njeri.
Një udhëheqës që nuk ka përulësinë të dëgjojë zërin e popullit të tij, që ka tri javë që i proteston para zyrës, por ironizon dhe tallet me ta, është thjesht arroganti i radhës që pret të bjerë kobshëm. Edhe sikur ky njeri të mos e jap dorëheqjen, duke humbur shansin për të treguar minimumin e fisnikërisë, që i mungon, ai e ka vulosur mos riciklimin e tij.




