
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të shtunë, 20 qershor, Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe projektin e Zvërnecit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka thumbuar hapur protestat qytetare që po zhvillohen kundër këtij investimi strategjik. Ai e ka cilësuar situatën aktuale si një histori paralajmëruese, duke u shprehur se mllefi i shfaqur nuk drejtohet vetëm ndaj tij, por ndaj të gjithë shumicës qeverisëse.
Sipas Ramës, ky reagim është vetëm fillimi i asaj që pritet të vijë më tutje, ndaj kërkoi që kjo histori të lexohet drejt për të qenë të përgatitur.
“Shqipëria u bë zogu dhe ne ishim në krye të saj. Kjo ishte një histori paralajmëruese. Jo vetëm për mandatin tim, por të kësaj shumice qeverisëse. Mllef ndaj meje dhe PS. Këtë histori ta lexojnë sa më drejt, për të qenë të përgatitur sa më mirë, për çfarë vjen më tutje, sepse ky është vetëm fillimi… Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet, për të kuptuar politikën sot bën mirë që të largohesh pak. Shumë kohë përpara ai ka përshkruar modelin e biznesit të rrjeteve sociale, në një përshkrim që ai e quan diskursi i historikut. Ai nuk përshkruante një njeri, por një marrëdhënie, një mënyrë për t’u marrë me botën dhe realitetin.”
Pasi analizoi modelin e rrjeteve sociale dhe “diskursin e historikut”, ku rëndësi ka mbajtja ndezur e motorit të zhurmës, ai sqaroi se ky qëndrim nuk është një kritikë ndaj kritikës konstruktive. Kryeministri pranoi se qeveritë përmirësohen nga kundërshtitë, por nënvizoi se refuzimi i prerë për të negociuar është tashmë një fenomen politik botëror.




