Rama: Kush kërkon like e follower, punon kundër fëmijëve të tij…

Shpërndaje

Kreu i qeverisë, në fjalën e tij para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u ndal tek përfshirja e influencerave në protestat qytetare në Tiranë.

Sipas Ramës, “like”-et dhe “followers” nuk janë thjesht mjete shprehjeje apo matje popullariteti, por janë pjesë e një sistemi më të madh ekonomik dhe teknologjik ku platformat digjitale përfitojnë financiarisht nga sjellja e përdoruesve.

Kush mendon se me likes dhe followers të vet bën politikë ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me followers dhe like që i mbledh, bën shërbimin e atyre oligarkëve më të mëdhenj të planetit, që përmes algoritmit dhe platformave pasurohen çdo ditë.

Algoritmi nuk shpërblen qetësinë. E varros. Sepse qetësia është armik i algoritmit. Algoritmi nuk i shpërblen nuancat, i fsheh, sepse nuancat janë kundërshtarë të algoritmit.

Algoritmi nuk e do arsyen dhe prandaj në të gjitha studimet e bëra, të gjitha postimet, në të gjitha platformat, të cilat janë të mërzitshme sepse janë të arsyeshme, kanë një shpërndarje shumë më të ngadaltë sesa ato që janë tërheqëse, sepse janë skandaloze. Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin dhe çdo qenie konfliktuale që i vihet në dispozicion. Shpërblen frikësimin e të tjerëve sepse frikësimi prodhon klikime, klikimet prodhojnë kohë, dhe koha prodhon para. Kështu, për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike. Sa më shumë zemërim, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet, mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne“, tha ai.

 “Kush shkon dhe kërkon një like dhe një follower me zemërim, punon kundër fëmijëve të tij”, shtoi më tej Rama, duke theksuar se këto sjellje kanë pasoja afatgjata shoqërore.

Shpërndaje