Arrestohet në Ulqin Besnik Kolndreu, i kërkuar në lidhje me vrasjen e çiftit Mujeci në Balldren…

Shpërndaje

Autoritetet malazeze kanë arrestuar në Ulqin 40-vjeçarin Besnik Kolndreu, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare në kuadër të hetimeve për vrasjen e bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në Balldren. Pas ndalimit, ai është deportuar drejt Shqipërisë për t’u përballur me procedurat ligjore.

Sipas policisë, arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes strukturave ligjzbatuese shqiptare dhe atyre malazeze. Kolndreu iu dorëzua autoriteteve shqiptare në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku më pas u mor në dorëzim nga efektivët e Policisë së Lezhës.

Ndaj 40-vjeçarit rëndon akuza e “Përkrahjes së autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Gjykata e Lezhës kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Nga hetimet rezulton se ai dyshohet të ketë ndihmuar autorët e atentatit të ndodhur më 26 prill 2026 në Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Mujeci. Sipas dyshimeve të hetuesve, Kolndreu ka strehuar në banesën e tij automjetin e përdorur nga autorët pas ngjarjes.

Mjeti në fjalë është lokalizuar dhe sekuestruar nga policia gjatë veprimeve hetimore, ndërsa dosja i është referuar Prokurorisë së Lezhës për vijimin e procedurave.

Kujtojmë se çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shpërndaje