Redi Shehu: Elitat e vjetra duhen zëvendësuar, jo reformuar…

Shpërndaje

Nga Redi Shehu

Protesta na shkundi duke na kujtuar neve si shqiptarë se kemi plotësuar per 35 vjet trekëndëshin perfekt, korrupsion-padrejtësi-destabilitet, nga i cili buron tranzicioni ynë. Tashmë ai është kthyer në gjënë më legjitime. Tranzicioni nuk ka ekzistuar në formatin i “ikshëm”, jo, ai është aty, ai është vetë legjitimiteti i sistemit, në të cilin ne gjallojmë sot.

Elitave të vjetra tranzicioni u duhet sepse ai u lejon të bëjnë çdo gjë, u siguron përfitime të mëdha, të menjëhershme. Për të (tranzicionin), ja vlen që të luftohet politikisht sepse ai të pajis me narrativën e heroit për të dalë prej tij, por pa e bërë kurrë një gjë të tillë. Ai u duhet atyre sepse nuk sjell ndryshimin, siç edhe Huntigton e përmend; “Korrupsioni transformohet në mirëmbajtësin e një sistemi politik ashtu siç edhe reformat janë. Korrupsioni mund të kthehet në zëvendësuesin e reformave dhe të dyja, korrupsioni dhe reformat, mund të kthehen në zëvendësuesin e revolucionit (ndryshimit)”.
Prandaj, elitave të vjetra u duhet tranzicioni sepse ai i pajis me bashkëjetesën perfekte mes korrupsionit dhe reformave, pra, mes progresit dhe regresit duke qëndruar në mënyrë perfekte në të njëjtin vend për dekada.

Kështu, revolucioni, në kuptimin e ndryshimeve sociale kundër padrejtësive, kundër elitave të vjetra, bëhet i kotë në thelbin e tij, kthehet i panevojshëm sepse bashkëjetesa e reformave me korrupsionin, e ka zëvendësuar tashmë ndryshimin duke e legjitimuar tranzicionin e për rrjedhojë edhe autorët e ti.
Elitat e vjetra duhen zevendesuar sepse ata nuk arritën të ndajnë luftën politike nga lufta për mbijetesë. Problemi i elitave të vjetra nuk është problem thjesht politik, por është problem i përhershmërisë së të bërit të të njëjtit gabim.

Shpërndaje