
Teuta dhe Vllaznia u ndanë në paqe me rezultatin 1-1 në përballjen e fundit të javës së katërt të Abissnet Superiore, e zhvilluar në “Niko Dovana”.
Shkodranët morën kryesimin në minutën e 24-të me një perlë të Esat Malës, që shënoi nga jashtë zonës. Ndeshja u bë e ashpër, me faulle dhe kartonë të shumtë, derisa Gurishta u përjashtua me të kuq, duke e lënë Vllazninë në inferioritet numerik.
Në shtesë, në minutën e 90+5, Mario Beshiraj shpëtoi durrsakët me një gol vendimtar, duke i dhënë Teutës një pikë. Pas katër javësh, kampionati mbetet i hapur dhe mjaft i balancuar në renditje.




