7 tetori është afati I fundit i regjistrimit të studentëve fitues në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Afati vlen për të gjithë aplikuesit e raundit të dytë të regjistrimeve që rezultojnë fitues.
Procesi i regjistrimit duhet të kryhet me dokumentacion pranë sekretarive mësimore në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë arsimin e lartë.
Kandidati, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, ka të drejtë të çregjistrohet në datat 8-9 tetor 2024.
Sekretaritë mësimore, në përfundim të procesit të çregjistrimit të kandidatëve dhe dorëzimit të dokumentacionit, përcjellin në portalin U-Albania, listën e kandidatëve të çregjistruar në format elektronik, brenda datës 9 tetor 2024. Kandidatët që janë pjesë e portalit U-Albania që rezultojnë të paregjistruar në asnjë program studimi, kanë të drejtën e regjistrimit në programe studimi ku ka kuota të paplotësuara në të gjitha IAL-të, pavarësisht aplikimeve në raundet e mëparshme, në periudhën 10- 25 tetor 2024.
Ndërkohë, kandidatët nga Republika e Kosovës, me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, kandidatët me statusin e personit me aftësi të kufizuar, me statusin e jetimit, si dhe kandidatët e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët nuk janë regjistruar në një program tjetër studimi, me përjashtim të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer, pas datës 4 tetor 2024, do të njoftohen nga sekretaritë mësimore në njësitë kryesore të IAL-ve, për kuotat e paplotësuara.