Vllaznia feston 105-vjetorin, klubi më i vjetër shqiptar i futbollit…

Shpërndaje

105 vjet, Vllazni! Ditë të shënuara për Vllazninë, klubin më të vjetër shqiptar të futbollit.

Me datë 16 shkurt 105 vite më parë, sportistë të njohur shkodranë të asaj kohe, do të formonin formonin Shoqërinë Sportive Vllaznia, që do të kujdesej për shumë sporte përfshirë futbollin.

Në fakt, futbolli si lojë u njoh në Shkodër që në vitin 1908, kur një prift maltez, i njohur me emrin At Gut Ruter, solli një top futbolli në qytet për t’ua mësuar këtë lojë të bukur të rinjve shkodranë.

Shkodra, ky djep i futbollit shqiptar, për më shumë se një shekull ka nxjerrë me qindra futbollistë të shquar, që kanë dhënë kontribut për Vllazninë, skuadrat e tjera shqiptare dhe pa dyshim për përfaqësuesen e Shqipërisë.

Vllaznia është një nga skuadrat më të titulluara në vend (bashkë me Tiranën, Dinamon dhe Partizanin) me 9 tituj kampion, 8 Kupa dhe 2 Superkupa të Shqipërisë.

Për të kuptuar madhështinë e këtij klubi në futbollin shqiptar mjafton të përmendim emra të tillë si Loro Boriçi, Sabah Bizi, Astrit Hafizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami, Rudi Vata, Vioresin Sinani, Hamdi Salihi etj.

Me rastin e 105-vjetorit, Vllaznia ka modifikuar edhe logon, duke evidentuar ditëlindjen dhe titullin “Nderi i Kombit”. Logoja e re do të përdoret nga shkodranët gjatë gjithë kësaj jave, deri në ndeshjen ndaj Egnatias, më 17 shkurt në “Loro Boriçi”.

Urimet për klubin shkodran janë të shumta dhe bashkë me ato për ditëlindjen, vijnë edhe ato për të rikthyer titullin kampion, që mungon te Vllaznia prej 23 vitesh. Urime 105-vjetorin Vllazni!

Shpërndaje