Nafta arrin në nivelin më të lartë në gjashtë javë, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme përshkallëzohet…

Shpërndaje

Donald Trump ka kërcënuar me një përshkallëzim të ri të luftës së tij në Iran, duke paralajmëruar se SHBA-ja së shpejti do të nisë një sulm ndaj një objekti bërthamor iranian të fortifikuar rëndë, në një kohë kur çmimet e naftës po rriten me shpejtësi.

Kërcënimi i presidentit vjen mes një përshkallëzimi të konfliktit gati pesëmujor mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi ushtria amerikane përfundoi natën e dhjetë radhazi të bombardimeve dhe çmimi i naftës arriti në 91 dollarë për fuçi.

Trump u tha gazetarëve të martën se mendonte se Irani “mund t’i ketë” zhvendosur komponentët kritikë për ndërtimin e një arme bërthamore në një objekt bërthamor të groposur thellë nën Kolang Gazla — i njohur si Mali Pickaxe — në Iranin qendror.

“Do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe shumë rëndë,” tha ai në Zyrën Ovale gjatë një takimi me presidentin e Libanit, Joseph Aoun.

Zotimi i Trumpit për veprime të reja ushtarake vjen në një kohë kur ankthi mes tregtarëve të naftës po rritet, pasi kalimi i naftës bruto përmes Ngushticës së Hormuzit është ngadalësuar ndjeshëm ditët e fundit dhe rezervat globale po bien në nivele kritikisht të ulëta.

Të paktën shtatë anije janë goditur në ngushticë që prej prishjes së armëpushimit, ndërsa Irani ka vënë në shënjestër anijet që përpiqen të kalojnë përmes rrugës ujore pranë bregdetit të Omanit, e cila mbrohet kryesisht nga mbulimi ajror amerikan.

Nga 15 kalimet e regjistruara të hënën nga kompania e inteligjencës detare Windward, të gjitha, përveç dy anijeve, kaluan përmes ngushticës duke përdorur një itinerar të përcaktuar nga Irani, mbi të cilin ai ushtron kontroll mbi trafikun.

Dy anijet e tjera që përdorën itinerarin e Omanit — cisterna të operuara nga kompania greke Dynacom — u goditën të dyja nga raketa iraniane.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, u rrit me 2.4 për qind të martën, në 91.34 dollarë për fuçi, duke e çuar rritjen e saj në 25 për qind gjatë korrikut.

Goldman Sachs paralajmëroi të hënën në mbrëmje se çmimi i naftës Brent mund të ngjitej në 120 dollarë për fuçi, nëse Ngushtica e Hormuzit — nëpërmjet së cilës kalonte një e pesta e naftës së botës përpara luftës — do të mbetej “e ndërprerë” deri në tremujorin e katërt të këtij viti.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha gjithashtu të martën se “nuk ka vend për vetëkënaqësi lidhur me sigurinë energjetike, ndërsa armiqësitë po përshkallëzohen dhe rezervat tregtare të disponueshme po vazhdojnë të bien”.

Trump ka pretenduar vazhdimisht se e ka “zhdukur” programin bërthamor të Iranit gjatë ofensivës 12-ditore të SHBA-së dhe Izraelit në qershor 2025, e cila kishte në shënjestër objekte përfshirë Natanzin dhe Fordowin.

Megjithatë, asnjëra palë ushtarake nuk e goditi objektin e fortifikuar rëndë me tunele nëntokësore, që po ndërtohet nën malin Pickaxe.

Objekti, disa kilometra në jug të Natanzit, është një objektiv më i vështirë për t’u goditur se Fordowi, sepse ndodhet më thellë dhe është më i mbrojtur. Gjithashtu, ai nuk është hartëzuar aq mirë sa ishte Fordowi.

Pickaxe ka të paktën katër tunele, krahasuar me dy të Fordowit, gjë që e bën më të vështirë bombardimin e hyrjeve për t’i bllokuar ato. Thellësia e tyre mund t’i vendosë gjithashtu jashtë rrezes së bombave amerikane 30,000-paundëshe kundër bunkerëve, të cilat u përdorën ndaj Fordowit në sulmet e vitit të kaluar.

Javën e kaluar, gjatë një interviste me drejtuesin konservator të podkastit Hugh Hewitt, Trump kërcënoi se do ta “eliminonte” objektin.

Ai shtoi në emision se objekti ishte “një shënjestër për një goditje të bukur, të madhe dhe të fuqishme drejt e në hyrjen kryesore”.

Irani ka shtuar sulmet ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik gjatë javëve të fundit, që kur një armëpushim i prillit u shemb. Të martën, lufta u zgjerua më tej, pasi rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, deklaruan se do të vendosnin një “embargo detare” ndaj porteve të Arabisë Saudite.

Besohet se katër pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë gjatë ditëve të fundit të luftimeve në Lindjen e Mesme, ndërsa Pentagoni ende nuk e ka konfirmuar identitetin e njërit prej tyre.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, bëri të ditur të hënën se “gati 100” pjesëtarë të forcave të armatosura ishin plagosur vetëm gjatë dy javëve të fundit, por tha se shumica kishin pësuar tronditje të lehta dhe ishin rikthyer në detyrë.

Rritja e numrit të viktimave dhe shtrenjtimi i ndjeshëm i benzinës, çmimi i së cilës u ngjit sërish mbi 4 dollarë për gallon këtë javë, kanë nxitur një kundërshtim gjithnjë e më të madh brenda vendit ndaj luftës, në prag të zgjedhjeve vendimtare të mesmandatit në nëntor.

Trump nuk pranoi të thoshte se sa kohë priste që ushtrisë amerikane t’i duhej për t’ia hequr Iranit aftësinë për të kërcënuar transportin tregtar përmes ngushticës, në mungesë të një marrëveshjeje.

Në vend të kësaj, ai e riktheu vëmendjen te programi bërthamor i Iranit, për të cilin tha se SHBA-ja e kishte “përfunduar” dhe “shuar”.

“Po të largoheshim tani, Iranit do t’i duheshin 20 ose 25 vjet për ta rindërtuar,” tha ai. “Dhe ne nuk kemi përfunduar aspak.”/Monitor

Shpërndaje