Bledar Ukshini, 31-vjeç dhe Ardit Qamluku, 21-vjeç janë arrestuar nga policia e Vlorës, pasi u kapën me 3 mina me telekomandë, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.
Sipas policisë dyshohet se 2 të rinjtë, që u prangosën në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisnin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro.
Pas arrestimit, Policia sekuestroi tre minat e montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4.
NJOFTIMI I POLICISE:
DVP Vlorë/Hetimi proaktiv i Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, parandalon ngjarje të mundshme kriminale.
Finalizohet si rezultat i një hetimi disajavor, të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Knockout”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, që ka si synim krimet kundër personit dhe pronës.
Tentuan të shisnin mina me telekomandë, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 shtetas, në qytetin e Vlorës.
Sekuestrohen 3 mina të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Himarë, si rezultat i një hetimi disajavor me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knockout”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
U., 31 vjeç dhe A. Q., 21 vjeç, të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, i gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.