Pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme, qeveria shqiptare i është përgjigjur thirrjes për ndihmë ndaj Turqisë.
Drejt Turqisë është nisur një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete, ku do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie. Ekipi që do të marrë pjesë në këtë mision u përcollën në një ceremoni të veçantë, ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Peleshi ka shprehur mirënjohjen në emër të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare për të gjithë personelin që do të angazhohet në këtë operacion.
Sipas Pelshit, ky është një kontribut që i kthehet Turqisë, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Turqia është një vend mik shumë i rëndësishëm për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht. Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i vendosë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Unë ju falënderoj shumë për kontributin që do të jepni aty. Mirënjohje edhe në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministrit dhe të ktheheni shëndoshë”, u shpreh ministri Peleshi në ceremoninë e përcjelljes së ekipit shqiptar.