Gratë kryefamiljare do të jenë mes kategorive që përfitojnë nga “Pakoja e Madhe” e qeverisë shqiptare, ku deri në ditët e para të janarit 2023 do të shpërndahen plot 8 miliardë lekë para në dorë. Ato do të marrin nga 200 mijë lekë të vjetra në muaj.
“Edhe 20000Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe për gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike – pas dyfishimit të ndihmës këtë vit, bonusit të Vitit të Ri si edhe pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga shteti duke nisur prej 1 janarit”, njofton Rama.
Kjo ndihmë dhe për kategori të tjera, do të jetë për të lehtësuar impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre bazë, në këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën.
Parashikohet që pensionistët do të marrin deri në ditët e para të janarit nga 80 mijë lekë të vjetra, po kaq do të marrin dhe personat me aftësi të kufizuara, ndërkohë që ata me rroga deri në 600 mijë lekë të vjetra, do të marrin 200 mijë lekë të vjetra ndihmë nga shteti.
Personat që kanë rrogë mbi 600 mijë lekë të vjetra, do të marrin 100 mijë lekë të vjetra shpërblim.
- 8.000 lekë (të reja) – Pensionistët
- 8.000 lekë (të reja) – Personat me aftësi të kufizuara
- 20.000 lekë (të reja) – Nënat kryefamiljare
- 20.000 lekë (të reja) – Punonjësit e shtetit me rrogë deri në 60.000 lekë (të reja)
- 10.000 lekë (të reja) – Punonjësit e shtetit me rrogë mbi 60.000 lekë (të reja)
Në këto kategori, për punonjësit e shtetit që do të marrin pagesën në dorë, disa prej atyre që përfshihen janë: Edukatore, mesues e pedagoge, infermiere e mjeke, zjarrefikes, anetare te forcave speciale te policise e ushtrise, nepunes administrative, trupa te vetingut etj.