Nën moton “Dhuro gjak shpëto jetë” dhjetra qytetarë shkodranë e nisën ditën në ambientet e poliklinikës së qytetit të Shkodrës. Kjo nisëm e cila vjen si bashkëpunim mes spitalit rajonal të Shkodrës dhe organizatës “Eko Mendje” ka në fokus dhurimin vullnetar të gjakut për fëmijët talasemikë.
Kësaj nisme iu bashkua edhe drejtuesja e spitalit rajonal Xheni Halili. Pas seancës së dhurimit të gjakut titullarja e spitalit të Shkodrës tha se qytetarët vit pas viti po sensibilizohen me këtë nisëm. Sipas saj në Shkodër është vetëm një rast i një fëmije talasemik i cili ka në mënyrë të vazhdueshme nevojë për gjak
Sipas drejtuesit të organizatës “Eko Mendje” Mirsad Basha duke u nisur nga eksperienca e viteve të kalauara Shkodra ka numrin më të lartë të dhuruesve vullnetarë të gjakut.Kësaj nisme iu bashkuan qytetarë të shumtë ku për disa nuk ishte hera e parë që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.
Aktivitetet e viteve të fundit kanë bërë që të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve për të dhuruar gjak. Sipas të dhënave që ka Kryqi i Kuq dega Shkodër zakonisht në fund të seancave të tilla numri i njësive të gjakut të dhuruara shkon në 50 deri në 70 njësi.