“Si u larguam nga Shkodra në nëntorin e ’44-ës me Abaz Kupin e Mit’hat Frashërin, pasi kishim paguar nga 10 napolona flori për…

Shpërndaje

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesa e parë

Memorie.al publikon historinë e panjohur të krerëve kryesorë të organizatës nacionaliste ‘Balli Kombëtar’ dhe ‘Legaliteti’, të cilët në fundin e vjeshtës së vitit 1944, pasi e kishin kuptuar se partizanët e Enver Hoxhës e kishin fituar luftën dhe marrja e pushtetit prej tyre tashmë ishte çështje ditësh, fillimisht u grumbulluan në Kalanë e Prezës, ku pasi bënë një mbledhje që kryesohej nga Abaz Kupi dhe Mit’hat Frashëri, ata vendosën që të largoheshin nga Shqipëria dhe nga aty, marshuan për në drejtim të qytetit të Shkodrës, ku pas shumë debatesh dhe negociatash me parinë e atij qyteti, të kryesuar nga Gjon Markagjoni dhe Hasan Isufi, që tentuan t’i pengonin, me ndihmën e forcave gjermane dhe të birit të Mehdi Frashërit, mundën të kalonin kufirin shtetëror dhe të udhëtonin për në drejtim të Tivarit, ku i priste anija e Sulejman Latifit, me origjinë nga Shkodra.

Paguan nga 10 napolona flori secilit nga 250 “pasagjerët” që u imbarkuan aty, për të udhëtuar më pas drejt brigjeve të Italisë. Historia e trishtë e krerëve kryesorë të ‘Ballit’ dhe Legalitetit’ në fundin e vitit 1944, vjen nëpërmjet dëshmive të Arif Pezës, njërit prej eksponentëve kryesorë të Rinisë së ‘Ballit Kombëtar’ i cili në qershorin e vitit 1944, në krye të një çete që komandonte, kishte shkuar në Kosovë për të luftuar kundër forcave çetnike të Drazha Mihailloviç.

Si u larguan nga Shqipëria Kupi me Frashrin dhe bashkëpunëtorët kryesorë të tyre, të cilët pasi qëndruan tre katër vjet në kampet e Italisë, që kishin hapur anglo-amerikanët, një pjesë e tyre fituan azilin politik dhe u shpërndanë në shtete të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Australi, Argjentinë, Brazil etj., ndërsa pjesa tjetër që mbetën aty, shkuan në Egjipt, ku më ndërhyrjen e Mbretit Zog pranë Mbretit Faruk, që njihte ende qeverinë e Monarkisë së Zogut, u pajisën me pasaporta nga konsullata shqiptare në Kajro dhe u shpërndanë për në Siri e shtete të ndryshme arabe.

 “Me të mbërritur në qytetin e Shkodrës, krerët kryesorë të organizatës nacionaliste të ‘Ballit Kombëtar’, Mithat Frashëri, Hasan Dosti, Vasil Andoni etj., u pritën në një shtëpi që kishte qenë bazë e tyre gjatë Luftës. Ballistët e legalistët që mbërritën në qytetin e Shkodrës, u ndanë në dy “kampe”, ku Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra, Vasil Andoni, Faik Quku, Kadri Cakrani, etj., kërkonin që të largoheshin në drejtim të Italisë me anije, kurse pjesa tjetër me Halim Begenë, Mexhit Xhaferin (Dibra), Bardhyl Borshin, Mustafa Malokun, Halil Ballën, Kasem Alimehmetin etj., kërkonin të vazhdonin me tej në veri të bregdetit Dalmat, për t’u larguar për në Kroaci, e me destinacion Austrinë e Gjermaninë.

Frashëri, Dosti, Këlcyra, Andoni, Quku, Cakrani, Peshkëpia etj., që vendosën të niseshin për në drejtim të Italisë, përpiluan një listë me personat që do të largoheshin, ku secili prej tyre do ti paguante nga 10 napolona floriri Sulejman Latifit, pronarit të anijes (ulqinak që banonte në Shkodër), i cili do t’i merrte ata kur të mbërrinin në portin e Tivarit”.

Kështu kujtonte mes të tjerash përpjekjen dhe peripecitë e krerëve kryesorë të forcave nacionaliste të ‘Ballit’ dhe “Legalitetit’, për t’u larguar nga Shqipëri në fundin e nëntorit të ’44-ës, Arif Peza, një ish-eksponent i Rinisë së Ballit Kombëtar dhe njëkohësisht komandant i një çete ballistësh, e cila në vitin 1944, shkoi deri në Kosovë, për të luftuar kundra forcave çetnike të Drazha Mihailoviçit. Pasi mundi që të largohej nga Shqipëria, së bashku me krerët kryesorë të ‘Ballit’ dhe ‘Legalitetit’ në fundin e nëntorit të ’44-ës, Arif Peza u vendos në Kanada, ku jetoi si emigrant politik deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1993. Nga dëshmitë e z. Arif Peza, (i cili deri sa ndërroi jetë në vitin 2007, jetoi në Tiranë tek mbesa e tij, Mira Qazim Peza), kryesisht ato për periudhën pushtimit të vendit, (1939-1944), bëhet fjalë në këtë shkrim, ku ai tregonte për fatin e trishtë të krerëve kryesorë forcave nacionaliste të ‘Ballit’ dhe ‘Legalitetit’, të cilët në fundin e ’44-ës, u detyruan që të largoheshin nga Shqipëria, për t’i shpëtuar hakmarrjes së partizanëve të Enver Hoxhës!

Mbledhja e forcave nacionaliste në Prezë

Ka qenë fillimi i tetorit i vitit 1944, kur krerët e forcave nacionaliste të ‘Ballit Kombëtar’ të udhëhequra prej Mit’hat Frashërit dhe atyre të ‘Legalitetit’,nga major Abaz Kupi, e kuptuan se partizanët e Enver Hoxhës, e kishin të fituar luftën dhe marrja e pushtetit prej tyre, ishte vetëm çështje ditësh. Krerët e këtyre dy organizatave nacionaliste, duke qenë koshient për situatën në të cilën ndodheshin, për t’u ruajtur dhe nga goditja e partizanëve të Enver Hoxhës, të cilat që pas mbledhjes së Mukjes, në shtatorin e 1943-it, ju kishin shpallur atyre luftë të hapur, morën masat duke mbledhur të gjithë forcat e tyre të armatosura, për tu vendosur në zona të sigurta.

Përveç Frashërit, kreut të organizatës së ‘Ballit Kombëtar’, në shtabin e tij bënin pjesë dhe Hasan Dosti, jurist i njohur dhe për pak muaj, Ministër i Drejtësisë, Abaz Ermenji, ish-profesor në Liceun e Korçës dhe komandant i çetave balliste, Vasil Andoni, ish-profesori i ‘Normales’ së Elbasanit, Ali Këlcyra, ish-deputet në Parlamentin e parë shqiptarë, të vitit 1921 dhe eksponent i njohur i asaj organizate, Seit Kazazi, ish Ministër i Drejtësisë dhe komandant ushtarak nga më të famshmit e Ballit Kombëtar.

Së bashku me këta, në shtabin e Mit’hat Frashërit bënin pjesë dhe disa nga eksponentët kryesorë, të çetave balliste të zonës së Mallakastrës, si Kadri Cakrani, Tefik Sfiri, Besim Belishova etj. Kurse në forcat e Lëvizjes së Legalitetit, përveç kreut të tyre, major Abaz Kupit, bënin pjesë dhe major Murat Basha, shefi i Shtabit i forcave legaliste, profesor Gaqo Gogo, sekretar personal i Kupit, Xhemal Gjergji, komandant çete tepër i njohur në fshatrat përreth Vorës, etj.

Pas një mbledhje që ata bënë aty nga fillimi i muajit tetor në Shijak, disa ditë më pas, ata u zhvendosën pranë kalasë në kodrat e Prezës. Kjo zonë që përfshinte fushat nga Vora e deri në Fush-Krujë, si dhe kodrinat në pjesën perëndimore të saj, që mbaronin në bregdet, (Nga Rrushkulli deri në Kepin e Rodonit), të paktën që nga viti 1940, kontrolloheshin nga çeta e Xhemal Gjergjit, një prej eksponentëve të famshëm të Legalitetit, i cili ishte një nga mbështetësit kryesorë të Bazit të Canes. Bashkë me forcat nacionaliste, asokohe në kodrat e kalasë së Prezës, u vendos dhe misioni ushtarak britanik, i kryesuar nga nënkoloneli Maklin, i cili që prej vitit 1943, ishte atashuar pranë Abaz Kupit.

Ballistë e legalistë godasin forcat gjermane

Duke parë kahjet aspak të favorshme që po merrte lufta, Abaz Kupi u kërkoi misionit anglez, që ata të ndërhynin pranë Komandës së Përgjithshme të Forcave Aleate për Mesdheun, në Bari të Italisë, për të mundësuar largimin nga Shqipëria të një pjese të forcave nacionaliste, të cilat ishin të rrezikuara nga hakmarrja e forcave partizane të Enver Hoxhës, të cilët kishin nën kontroll pjesën më të madhe të territorit të vendit. Nënkoloneli Maklin me shtabin e tij, i bëri të ditur Kupit, se ndihma e tyre nuk do të mungonte, por më parë forcat legaliste dhe ato balliste, duhet të mblidheshin për të krijuar një komitet të përbashkët, i cili do të udhëhiqte ato forca në veprime konkrete luftarake, kundra forcave gjermane.

Kjo gjë, sipas kreut të misionit britanik, ishte si kusht kryesor në ndihmën që do t`u jepnin atyre, qeveria e vendit të tij. Maklini ngulmoi pranë Kupit, se në veprimet luftarake kundra gjermanëve, duhet të shquhej patjetër ‘Balli Kombëtar’. Kjo gjë për të larguar prej vetes namin e keq, që ata kishin, si bashkëpunëtorë të gjermanëve, të cilën e kishte përhapur propaganda komuniste. Pas kësaj, sipas sugjerimeve të nënkolonelit Maklin, krerët e Ballit e Legalitetit u mblodhën e krijuan komitetin e përbashkët.

Vetëm dy tre ditë, mbas asaj mbledhje, sipas vendimit të komitetit të porsakrijuar, forcat balliste dhe ato legaliste, ndërmorën veprime luftarake, duke goditur në afërsi të Fush-Krujës, një autokolonë gjermane që po tërhiqej në drejtim të Shkodrës. Nga ky aksion, forcat gjermane pësuan vetëm dëme material, ku mbetën të djegura disa kamionë, të autokolonës, kurse forcat e Frashërit e Kupit, u tërhoqën, pa dëme drejt Prezës, ku ndodheshin shtabet e tyre.

Abaz Kupi kërkon ndihmën e anglezëve!

Pas këtij aksioni, duke parë dhe situatën e krijuar, ku forcat partizane po grupoheshin në pjesën lindore të Tiranës, në rrëzë të malit të Dajtit, krerët e forcave nacionaliste, vendosën që të largoheshin nga pozicionet e tyre të Prezës, për në drejtim të Bregut të Matës, zonë e cila kontrollohej tërësisht prej forcave të Legalitetit. Fillimisht shtabi i Kupit, ku ndodhej dhe misioni ushtarak britanik i kryesuar nga nënkoloneli Maklin, u vendos në fshatin Fush-Kuqe, të zonës së Kurbinit, i cili ishte fare pranë bregdetit, në pjesën jugore të derdhjes së lumit të Matit.

Në atë fshat shtabi i Kupit dhe forcat që e shoqëronin atë, u pritën nga Mark Miri, një ish kapiten në rezervë i Zogut dhe legalist i njohur, me autoritet të madh në të gjithë atë zonë, që popullohej nga malësorë të zbritur, prej kohësh, prej krahinave më të thella, të Shkodrës. Sipas kërkesë së Kupit, misioni britanik u lidh me qendrën e tyre në Bari të Italisë dhe ju kërkoi atyre një ‘Sotomarinë’ (nëndetëse e vogël), e cila mbërriti në vendin e caktuar në Patok, disa milje në veri të Kepit të Rodonit.

Me atë mjet të motorizuar ujor, misioni britanik dërgoi për në Brindizi, Halil Maçin e Sulejman Meçen, dy nga njerëzit e Kupit, që njihnin mirë anglishten, pasi kishin mbaruar studimet në “Robert College” në Stamboll. Këta të dy paraqitën pranë Misionit Aleat të Barit, kërkesën e Kupit që t`ju dërgonin një anije, për t’i tërhequr drejt Italisë, pasi jeta e tyre kërcënohej seriozisht, prej forcave partizane të Enver Hoxhës, të cilat për ditë e më shumë, po afroheshin drejt Veriut. Pas kthimit të tyre nga Brindizi, në kampin e forcave nacionaliste, pllakosi një trishtim i madh. Dy njerëzit e Kupit i bënë të ditur atij, se Misioni Aleat i Mesdheut në Bari, nuk ofronte asnjë shpresë për ta. Përgjigja e tyre ishte: “Anglo-amerikanët nuk kanë plan për të zbarkuar në Shqipëri, shikoni mundësitë që të largoheni vetë”!

Kupi largohet në Itali

Pas atij lajmi që i trishtoi së tepërmi, forcat e major Abaz Kupit, në radhët e tyre u pa një çoroditje e madhe. Kupi, ju bëri të ditur njerëzve të tij, përgjigjen e Forcave Aleate dhe u tha atyre të shpërndaheshin, duke parë mundësinë që të largoheshin në drejtim të Shkodrës, prej nga ku e kishin më të lehtë, për të dalë në Mal të Zi e më tej. Vetë Kupi qëndroi në Bregun e Matës, ku priste një barkë me motor, të cilin do t’ja dërgonte Hasan Isufi, komandanti i Xhandarmërisë së Shkodrës.

Isufi e mbajti fjalën që i kishte dhënë Kupit dhe barka mbërriti diku, në bregdetin e Patokut (në fshatin Alk, në afërsi të derdhjes së lumit Mat në det) në orën e vendin e caktuar. Bashkë me kreun e legalistëve, në atë barkë hipën dhe dy djemtë e tij, Petriti e Rustemi, nipi Ramiz Dani, sekretari personal, prof. Gaqo Gogo, Is`han Toptani, intelektual dhe njohës i mirë i anglishtes, si dhe toger Dilaver Berberi nga Kruja, një nga njerëzit më besnik të Kupit.

Motobarka me të cilën u larguan major Abaz Kupi e njerëzit e tij, pësoi një defekt dhe ato u endën, për dy ditë në mëshirë të fatit, në afërsi të brigjeve italiane, ku më pas u pikasën nga një anije e Forcave Aleate, e cila i tërhoqi në drejtim të bregut. Sapo zbritën në tokë, Bazi me njerëzit e tij u sistemuan në një vilë komode, të cilët anglezët e mbajtën sekret për të gjithë shqiptarët e tjerë, që kishin mbërritur ato ditë në brigjet e Gadishullit Apenin.

Tërheqja e krerëve të forcave nacionaliste për në Shkodër

Që pas lajmit të ardhur nga Bari, se anglo-amerikanët nuk do t`i tërhiqnin forcat nacionaliste për në drejtim të Italisë, pjesa më e madhe e tyre u larguan për në drejtim të Shkodrës, ku asokohe ishin grumbulluar një kontingjent i madh i forcave antikomuniste, me synimin për t’u larguar prej andej, për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistëve. Po kështu ato ditë të mesit të nëntorit të vitit 1944, për në drejtim të Shkodrës, u nisën dhe një pjesë tjetër e forcave nacionaliste të ‘Ballit Kombëtar’ e atyre të Legalitetit, që ishin dislokuar në Durrës, ku sipas tyre, pritej zbarkimi i Forcave Aleate.

Lidhur me këtë gjë, Arif Peza, një prej komandantëve kryesorë të çetave balliste të Tiranës, që asokohe ishte në Durrës, tregonte:” Së bashku me shumë nga njerëzit tanë, ishim vendosur në qytetin e Durrësit, ku prisnim zbarkimin e aleatëve. Qyteti pothuaj ishte krejtësisht i boshatisur nga popullsia civile, si nga frika e luftës në rast të ndonjë zbarkimi, ashtu dhe një lajmi që ishte përhapur kudo, se qyteti do bombardohej nga avionët luftarak.

Pasi u njoftuam për lajmin që kishte mbërritur tek Bazi, në Breg të Matës edhe ne u nisëm për në drejtim të Shkodrës me autobuzat e paktë, që bënin atë linjë. Të gjithë rrugën nga Durrësi për në Shkodër e bëmë pa asnjë problem, nga pritat e partizanëve, pasi asokohe ata ishin larguar nga rruga nacionale, në të cilën tërhiqeshin autokolonat e forcave gjermane”.

Konflikti me parinë e Shkodrës!

Me të mbërritur në qytetin e Shkodrës, krerët kryesorë të organizatës nacionaliste të ‘Ballit Kombëtar’, Mithat Frashëri, Hasan Dosti, Vasil Andoni etj., u pritën në një shtëpi, që kishte qenë bazë e tyre gjatë luftës. Ballistët e legalistët që mbërritën në qytetin e Shkodrës, u ndanë në dy “kampe”, ku Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra, Vasil Andoni, Faik Quku, Kadri Cakrani, Manush Peshkëpia etj., kërkonin që të largoheshin në drejtim të Italisë me anije, kurse pjesa tjetër me Halim Begenë, Mexhit Xhaferin (Dibra), Bardhyl Borshin, Mustafa Malokun, Halil Ballën, Kasem Alimehmetin etj., kërkonin të vazhdonin me tej, në veri të bregdetit Dalmat, për t’u larguar për në Kroaci, e me destinacion Austrinë e Gjermaninë. Frashëri, Dosti, Këlcyra, Andoni, Quku, Cakrani, Peshkëpia etj., që vendosën të niseshin, për në drejtim të Italisë, përpiluan një listë me personat që do të largoheshin, ku secili prej tyre, do ti paguante nga 10 napolona floriri Sulejman Latifit, pronarit të anijes (ulqinak që banonte në Shkodër), i cili do t’i merrte ata kur të mbërrinin në portin e Tivarit.

Atë natë që krerët kryesorë të Ballit e Legalitetit, do të hipnin në dy kamionë për t’u larguar në drejtim të Tivarit, ku i priste anija, tek shtëpia ku ishin grumbulluar mbërritën disa forca të Xhandarmërisë, që i kishin dërguar paria e Shkodrës, e kryesuar nga Mark Gjonmarkaj, Halil Alija, Tahir Kolgjini e Mato Murati. Ato shoqëruan rreth 50 veta, duke i dërguar ato, në Komandën e Policisë së Shkodrës dhe morën në pyetje, vetëm krerët e Ballit, të cilët më pas i liruan. Thuhet, se ai veprim nga paria e Shkodrës, me në krye Gjon Markagjonit, u bë pasi ata nuk ishin dakord që të largoheshin nga Shqipëria, por të rrinin aty dhe të luftonin.

Djali i Mehdi Frashërit, zgjidh konfliktin!

Po kështu ato ditë, major Osman Gazepi, njeri me influencë të madhe dhe ish-adjutant i Mbretit Zog, mbajti disa fjalime në vende publike të qytetit të Shkodrës, ku ju bënte thirrje forcave nacionaliste, që të mos largoheshin nga Shqipëria.

“Të vdesim këtu të gjithë”, u bënte thirrje major Gazepi. Më 22 nëntor 1944, të nesërmen e asaj dite, që forcat balliste e legaliste u shoqëruan për në polici, përpara se të hipnin në dy kamionët, që do të largoheshin për në Tivar, në shtëpinë ku ishin grumbulluar, mbërriti përsëri major Mato Murati, një nga krerët e policisë së Shkodrës, bashke me tre katër policët që e shoqëronin, i cili nuk donte t’i lejonte ata, që të largoheshin.

Po në të njëjtën kohë aty mbërriti dhe aspirant Adem Shaqiri, shoqërues i Hasan Isufit, i cili ju tha se kishte urdhër nga shefi i tij (Hasan Isufi), që ata të largoheshin për në Tivar. Prania e major Mato Muratit dhe aspirant Shaqirit, gati shkaktoi një konflikt të armatosur, po të mos kishte mbërritur aty në ato çaste, djali i Mehdi Frashërit, i shoqëruar nga tre oficerë gjermanë, të cilët zbritën me nxitim nga automjeti i tyre. Djali i Frashërit dhe oficerët gjermanë e përzunë major Muratin dhe i lejuan të gjithë ballistët e legalistët, që të hipnin në dy kamionët e të largoheshin në drejtim të Tivarit, ku i priste peshkarexha e Sulejman Latifit.

Largimi me anije drejt Italisë

Dy kamionët me rreth 50 ballistë e legalistë mbërritën në portin e Tivarit, pak para se të errej. Gjermanët që ishin aty, nuk i lanë ata që të zbrisnin nga kamionët, pasi forcat partizane malazeze kishin rrethuar Tivarin. Po kështu atë mbrëmje, gjermanët ishin bërë gati të largoheshin prej andej dhe kishin minuar objektet kryesore të atij qyteti.

Sapo u err, të gjithë ballistët e legalistët zbritën nga kamionët dhe u vendosën në anijen e ulqinakut, Latifi që mbante rreth 250 veta, i cili ju kishte marrë të gjithëve nga 10 napolona floriri. Bashkë me ballistët e legalistët për në Tivar, kishin udhëtuar dhe 20 ushtarë italianë, që kishin mbetur në Shqipëri dhe 5 çetnikë serbë të Drazha Mihailoviçit, që kishin qenë ministra e ndiqeshin prej partizanëve të Josif Broz Titos. Një kapiten gjerman drejtoi anijen sa për të dalë nga porti, për të mos ndeshur në minat që kishin vënë vetë dhe ajo u nis për në det të hapur. Pasi dolën nga porti i Tivarit, anija filloi të fuste ujë dhe ushtarët italianë, punuan gjithë natën me një pompë për të larguar ujin.

Të nesërmen në mëngjes në afërsi të brigjeve italiane, pa mbërritur akoma në Brindisi, në direkun e anijes së ulqinakut Latifi, ballistët e legalistët vendosën një flamur të bardhë. Teksa në mëngjesin e 23 nëntorit 1944, peshkarexha e ulqinakut Sulejman Latifi që ishte nisur nga porti i Tivarit, në të cilën kishin hipur rreth 60 shqiptarë, eksponentë të Ballit e Legalitetit e familjarë të tyre, po mbërrinte në afërsi të brigjeve të Brindisit, me një flamur të bardhë në direkun e saj, një anije luftarake e Forcave Aleate e drejtuar nga oficerë britanikë, ju afrua dhe e rimorkioi pas vetes deri në molin e portit, që ruhej nga forca të shumta ushtarake./Memorie.al

Shpërndaje