10 milionë euro për bizneset e reja në 4 vite/ Edona Bilali zbulon si do të përfitojnë të rinjtë me ide novatore…

Qeveria shqiptare ka vendosur që të shpërndajë rreth 10 milionë euro për 4 vite, për bizneset që do të krijohen nga të rinj dhe të reja, me fokus teknologjitë e reja dhe inovacionin.

Në një intervistë për Fax News, ministrja Edona Bilali dha detaje të këtij projekti, nga i cili sipas saj do të përfitojnë biznese të reja, dhe lehtësuesit e tyre.

Përfitimi i fondeve do të bëhet në sajë të një aplikimi fillestar në e-albania, dhe më pas do të bëhet vlerësimi dhe ekspertiza e bizneseve të reja.

“Ka dy kategori përfituesish, të rinjtë që duan të hapin biznese të reja, dhe mbështetësve të tyre, kjo është thirrja e parë, dhe gjykojmë vetëm mbi interesin e shprehur, kemi pritshmëri të mëdha. Nuk mund të aplikojnë personat që nuk kanë brenda elementin e inovacionit, nëse ka konkurentë që bëjnë të njëjtën gjë në treg, ky nuk është start up.

Inovacioni është i lidhur me teknologjinë, edhe në fusha të ndryshme, kemi vendosur që të mos kufizojmë fushat. Fushat prioritare janë turizmi, shërbimet e informacionit, energjia e rinovueshme. I gjithë synimi është që e-albania të jetë element i pandashëm i marrjes së shërbimeve, faza e parë është vetëdeklarimi në e-albania.

Aplikimi bëhet në shumë pak sekonda, brenda 48 orëve vjen konfirmimi i pasaportës, asistencë në fusha ekonomike, për të ushtruar më pas aktivitetin e tyre, dhe pasaporta është kusht për të qenë një aplikant fitues për mbështetjen ekonomike.

Start up nëse janë në faza të reja mund të marrin deri në 1.5 milionë lekë të reja, nëse janë biznese deri në një vit, do të marrin mbështetje deri në 3 milionë lekë”, u shpreh Bilali.