Ziu: Pishinat nuk lejohen, sanksione punonjësve dhe policisë nëse konstatohen hapur

Zëvendësdrejtori i Policisë për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu u shpreh në një intervistë për Report Tv se vijon kontrolli në terren për zbatimin e masave, si dhe për respektimin e karantinës nga personat e prekur që duhet të qëndrojnë të izoluar për 14 ditë.

Ziu tha se ka pasur qytetarë, ashtu edhe biznese që nuk i respektojnë masat, por policia i ndjek dhe i zbaton masat e përcaktuara në Aktin Normativ.

Për sa u përket pishinave, ai theksoi se nuk lejohen dhe se nëse konstatohen hapur do të ketë sanksione jo vetëm kundër subjektit, por edhe punonjësve të policisë që kanë në përgjegjësi zonën.

“Nuk ha diskutim nëse do të funksionojnë pishinat, urdhri dhe akti e ndalojnë këtë gjë dhe për këtë gjë në bashkëpunim me Task Forcën i kemi evidentuar vendndodhjet e pishinave dhe i mbajmë nën kontroll duke raportuar. Deri tani nuk kemi raste të funksionimit të pishinave. Kontrollet nuk janë të përcaktuara, por është detyrim i shërbimeve të territorit ta mbajnë në kontroll, nëse konstatohet një pishinë do të ketë sanksione ndaj punonjësve që e kanë në përgjegjësi, por edhe ndaj subjekteve”, -është shprehur ai.