
Të burgosurit shqiptarë në Angli dhe Uells kanë realizuar numrin më të lartë të telefonatave nga burgjet, duke nxitur dyshime se një pjesë e tyre mund të vazhdojnë të koordinojnë aktivitete kriminale edhe nga qelitë. Kështu shkruan The Telegraph, duke iu referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas këtyre të dhënave, në gjashtë muajt e fundit të burgosurit shqiptarë kanë kryer 157,962 telefonata, ose mesatarisht rreth 900 telefonata në ditë. Shqiptarët përbëjnë gjithashtu grupin më të madh të të burgosurve të huaj në Angli dhe Uells, me mbi 1,200 persona, të ndjekur nga polakët dhe rumunët.
Statistikat tregojnë se numri i telefonatave të kryera nga shqiptarët është rreth katër herë më i lartë se ai i polakëve dhe rumunëve. Polakët, me rreth 740 të burgosur, kanë realizuar 37,691 telefonata, ndërsa rumunët, me 708 të burgosur, kanë kryer 37,307 telefonata gjatë së njëjtës periudhë.
Profesori Ian Acheson, ish-drejtor burgu dhe ish-këshilltar i qeverisë britanike për ekstremizmin në burgje, e cilësoi këtë numër telefonatash si “jashtëzakonisht të lartë”. Ai deklaroi se grupet kriminale shqiptare dominojnë shpërndarjen e drogës brenda burgjeve dhe shtoi se nuk do të ishte befasuese nëse një pjesë e tyre do të përdornin telefonatat për të organizuar aktivitete kriminale edhe jashtë burgut, megjithëse nuk ka prova të drejtpërdrejta që e vërtetojnë këtë.
Artikulli kujton edhe deklaratat e ish-sekretarit britanik të Drejtësisë, David Lammy, i cili ka paralajmëruar se bosët e krimit po drejtojnë gjithnjë e më shumë aktivitetet e tyre nga burgjet. Sipas tij, grupet kriminale përdorin edhe dronë të sofistikuar për të futur drogë dhe armë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Sipas The Telegraph, autoritetet britanike dhe National Crime Agency (NCA) vlerësojnë se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë kryesisht në kultivimin e kanabisit dhe trafikimin e drogës, duke zëvendësuar në shumë raste grupet vietnameze si prodhuesit kryesorë të kanabisit në Britani.
Ndërkohë, deputeti konservator Nick Timothy ka kërkuar publikimin e plotë të statistikave të kriminalitetit sipas kombësisë, duke argumentuar se duhet të ketë transparencë më të madhe për përfshirjen e shtetasve të huaj në krim.
Sipas të dhënave të publikuara, dhjetë kombësitë me numrin më të madh të telefonatave nga burgjet janë: Shqipëria, Irlanda, Shtetet e Bashkuara, Polonia, Rumania, Franca, India, Spanja, Italia dhe Gjermania.
Artikulli thekson se telefonatat nga burgjet lejohen vetëm drejt numrave të miratuar paraprakisht dhe mund të monitorohen nga autoritetet në rast se ekziston dyshimi se ato përdoren për veprimtari kriminale.




