Vijnë kartëmonedhat e reja euro, ja çfarë do të ndodhë me ato që përdorni sot…

Shpërndaje

Euroja po përgatitet për transformimin më të madh që prej hyrjes së saj në qarkullim në vitin 2002. Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka prezantuar dhjetë propozimet finaliste për serinë e re të kartëmonedhave euro dhe ka hapur një konsultim publik, ku qytetarët në të gjithë Evropën mund të votojnë për dizajnin e preferuar deri më 21 shtator.

Lexo edhe: Arktiku po humbet “betejën” me ngrohjen globale, arrihet rekordi historik

Sipas BQE-së, ridizajnimi synon t’i bëjë kartëmonedhat më moderne, më të sigurta ndaj falsifikimit dhe më përfaqësuese të identitetit evropian. Megjithatë, banka qendrore thekson se kartëmonedhat aktuale nuk do të dalin nga përdorimi. Ato do të vazhdojnë të kenë të njëjtën vlerë ligjore dhe do të qarkullojnë paralelisht me serinë e re për disa vite pas hedhjes së saj në treg.

Dy janë temat që konkurrojnë për pamjen e ardhshme të euros. E para, “Kultura Evropiane: Hapësira të Përbashkëta Kulturore”, sjell në kartëmonedha figura historike si Maria Skłodowska-Curie, Ludwig van Beethoven, Leonardo da Vinci dhe Maria Callas. Tema e dytë, “Lumenjtë dhe Shpendët: Qëndrueshmëria në Diversitet”, vendos në qendër biodiversitetin evropian, me specie shpendësh dhe peizazhe natyrore të kontinentit.

Procesi i ridizajnimit ka nisur disa vite më parë dhe ka përfshirë ekspertë, dizajnerë grafikë dhe konsultime publike në të gjithë Bashkimin Evropian. Mbi 1,200 dizajne u paraqitën në konkurs, ndërsa tani publiku do të ndihmojë në përzgjedhjen e variantit fitues. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Këshilli Drejtues i BQE-së në fund të vitit 2026.

Sipas agjencisë Reuters, kartëmonedhat e reja nuk do të hyjnë menjëherë në qarkullim. Pas përzgjedhjes së dizajnit fitues do të nevojiten disa vite të tjera për testime, prodhim dhe përgatitje teknike, përpara se ato të përdoren në të gjithë eurozonën.

Nisma ka rëndësi edhe për Kosovën, ku euro është valuta zyrtare, ndërsa qytetarët mund të marrin pjesë në konsultimin publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane për të dhënë mendimin e tyre mbi pamjen e ardhshme të kartëmonedhave.

Shpërndaje