
Nga Zenepe Dibra
BESA NË HAPËSIREN SHKODRANE
Institut i ligjit dokësor, i cili si virtut moral e ka zanafillen nga lashtësia, si nevojë për solidaritetin në bashkësinë fisnore fshatare. Është mbajtja e fjalës së dhënë ose fjala e nderit për diçka me rëndësi, si një akt hyjnor i pathyeshëm. Është institucioni më i lartë i shqiptarit dhe veçanarisht i shkodranit dhe malësorit të Veriut. Fjala e dhënë ka qenë gjithmonë për shqiptarin institucioni moral më i rëndësishëm i karakterit të tij, ai ishte kulti i besnikërisë, virtut i burrërisë për të cilin në kushte të caktuara përmbante edhe sakrifica të mëdha deri në sublime. Për këtë besë zunë vend shprehjet popullore “Kah del fjala, del shpirti”, “Burri kapet për fjalësh dhe demi per brirësh”. Është i njohur rasti i malësorit të Veriut i cili ishte dënuar me varje dhe kur e pyeten për dëshirën e fundit ai u shpreh se kishte nevojë të kthehet në shtëpi për një problem që kishte lënë të pazgjidhur. Kur kjo dëshirë iu plotësua, pasi kreu punën vet ai erdhi për t’u varur, në ditën e caktuar duke e mbajtur fjalën dhe besën. Nga masa e respektimit të normave të besës percaktoheshin edhe normat e një njeriu apo të një bashkësie të caktuar sociale; të pabesët përbuzeshin dhe quheshin njerëz pa virtute, Shpesh thuhej “Beja ka rrfenë”. Betimi i kërkuar me karakter të mirëfilltë juridik bëhej duke vënë dorën mbi objekte kulti, apo gjëra të shejta, si kurani, ungjilli, kryqi, etj. Besëlidhjet kanë qenë individuale por edhe kolektive. Në malësi por edhe në qytete ka qenë i njohur fenomeni i ndores apo i dorzanisë. Gjaksorin nuk mund ta vrisje kur ishte i shoqëruar me atë që i kishte kërkuar ndoren, pasi ndores i prisje mikun dhe ai kishte të drejtë të qiste pushkë për mik.
*Fasli Vasija, nga familja tregtare e Vasijeve në Shkodër, do të pranonte të bënte flijimin me gjithë anëtarët e një karvani tregtar për mos të dorëzuar hebrejin kur një grup cubash i kërkonte dorëzimin e tij gjatë rrugës për në Filibol. Po kështu besë i kanë dhënë shumë familjeve hebreje, familje shkodrane për të mos i dorëzuar ato si familja Pogu, Hoti, Kraja, Dardha (Ana e Malit ) etj. dhe këtë besë e kanë mbajtur jo vetëm ato, por edhe komshinjtë, kushërinjtë e të tjerë që i kanë njohur, që e kanë ditur këtë fakt dhe s’kanë spiunuar. Një rast unikal, i përmasave të mëdha ndjesore, virtuteve dhe traditave më të shquara të popullit tonë në shekuj, është gjesti i Fatime Syles një grua e thjeshtë nga fshati që banonte në lagjen Draçin të qytetit të Shkodrës, rreth shek. XIX, bashkëshortja e Bejto Syles që ishte në shërbim të Vezirit, motra e Halilit dhe Mustës, e cila vrau trathëtinë me një çmim tepër të shtrejtë.
*Në Shalë, njihet rasti i Raze Tarakes, që mbasi i dha besë gjakësorit që po i kerkonte ndoren, ajo nuk pranoj kurrë ta dorëzonin edhe kur mori vesh se ai ishte vrasësi i djalit të saj. Veçanarisht institucioni i besës ka qenë ma i shenjti në historitë e pafundme në Malësitë e Veriut. Nuk ka njeri që i ra në dorë malësorit, apo Malësisë e të jetë pre në besë.
*Në Dukagjin Marash Tuci, humb jetën për të mbrojtur shokët e tij që i kërkuan ndoren; shoshjanët Babun Celi, e Zef Delia së bashku me Mark Milanin përbëjnë një shembull unik e spektakolar të qëndrimit ndaj shokut e sidomos ndaj respektimit të besës.
*Vëllezërit Omari për 6-7 muaj duruan të gjitha llojet e torturave, që sajoi sigurimi komunist, por nuk dekonspiruan vendin ku fshihnin mikun e tyre Maliq Bushatin ish kryeministër më 1943.
*Dodë Smajlit Gjeloshaj nga fshati Nikmarash në mëngjesin e 11 shkurtit 1951, në shtëpinë e tij të lindjes, i rrethuar nga forcat serbomalazeze dha jetën për të mos e dorëzuar mikun e tij malazez të panjohur, Radomir Mirasheviqin, oficer ushtarak nga Dojani, të cilit i dha besën se do ta përcjellë për në Shqipëri. Doda nuk e dorëzoi mikun e kombësisë tjetër, nuk e koriti veten, shtëpinë dhe fisin, por mbajti besën e dhënë shqiptare-vdiq ashtu siç u ka hije burrave të mëdhenj.
*Në Koplik të sipërm, një familje malësore sakrifikon djalin e saj, për të mos dorëzuar italianin që kishte kërkuar besë në këtë familje në v. 1943, dhe që gjermanët e kërkonin për ta ekzekutuar si dezertor. Gjermanët i vrasin djalin e familjes dhe italiani nuk u dorëzohet atyre- një rast ky i veçantë në historinë e Luftës Dytë Botërore që rrallë ndodh në ndonjë vend tjetër. Disa vite më vonë gjermani Johan Arendt që vrau djalin do të shkruante: “…Qysh kur kam qenë student në Luçernë të Zvicrës, jam njohur nga afër nga kontaktet me albanologë dhe studiues për të drejtën zakonore dhe besën unikale të shqiptarëve. Ka qenë kjo, që më ka frenuar të mos ekzekutoja tërë familjen shqiptare në Koplik. Ai moment i asaj dite më ka forcuar dëshirën për t’u njohur më mirë me këtë popull, për të cilin e dëshmoj me zë të fortë, se është nga më fisnikët e botës…
Mbrojtjen me besë e gëzonte edhe miku tek mikpritësi. Amaneti, apo besa e dhënë e formuluar në shprehjen popullore, “Amanetin s’e tret dheu”, është një nga virtutet që ka shoqëruar shumë shkodranë, malësorët trima të kësaj treve të cilët e kanë trashëguar brez pas brezi.
*Nuh Sahatçia (shih) në Shkodër, kishte ruajtur pa e prekur orën e gjermanit Johan Arendt, për shumë vite vetëm sepse ishte amaneti i tij dhe s’duhej prekur.
*Dy shkodrane Zade dhe Bude Bala, marrin si amanet ruatjen e dy kavanozave një litërshe të mbushur me napolona ari dhe të groposur në ahrin e shtëpisë së tyre, pronë e dy tregtarëve malazes, që ikën në Mal të Zi pa mundur t’i merrnin me vehte. Mbasi vdes Zadja, Budja i lë këtë amanet, mbesës së saj Syme Kastratit, e cila duke iu afruar vdekjes ia lë amanet djalit të saj Hamzait.
*Amanetin e familjes Bojaxhi do ta ruante Hava Alibali, që merr në dorëzim për të ruajtur Mesharin e Kishës Katolike Romake. Libri është botuar në qytetin e Venedikut më 1776. Nëna dhe motra e nënë Terezës ia dorëzoi këtë thesar Havasë bashkë me amanetin: “Të ruhet, të mos griset dhe të mos digjet!”. Një premtim që shkodrania e mbajti për 35 vjet., ja la amanet Ylvijes , nuses së djalit Besnikut dhe kjo mbas vdekjes, bashkëshortit Besnik Alibalit. Dhe rastet vazhdojnë deri në ditët e sotme ku shkodranët demonstrojnë në çdo moment të historisë, se besa është një nga institucionet morale më të shenjta të tyre.
Bibliografia Mark Tirta, Xhevat Lloshi : “Besa”, FESH, Tiranë, 2008; Prelë Milani, Lazër Kodra “Dukagjini ynë”-memuaristikë, vell. I, Tiranë, 2004; Hamdi Bushati “Shkodra dhe motet”, vëll. II, 1999,Shkodër
“BESA SHQIPTARE”
Organizatë e krijuar në Shkodër në fillim të v. 1944, me inisiativen e Ndoc Çobës, Tef Gerës, Kol Kirit, Hysen Lohes, Hys Draçini, Xhemal Naipi dhe Sheuqet Mukës. Qëllimi i kësaj organizate ishte bashkimi për mbrojtjen e atdheut, evitimi i vëllavrasjes dhe pajtim gjaqesh. Në mbledhjen që është zhvilluar në shtëpinë e Ndoc Çobës është vendosur të bëhet propogandë në popull për të shtuar radhët me atdhetarë të mirë.
Bibliografia: Marrë nga proçesverbali i hetuesisë së deponimit të Sheuqet Mukës.
“BESA” (1991-1994)
Gazetë- organ i shoqatës “Kosova” e dalur në v. 1991 duke u bërë gazeta e parë pluraliste në Shkodër mbas v.1990. Gazeta kryesisht ka publikuar artikuj që kishin të bënin me marrëdhëniet dhe historinë e bashkëpunimit të popullit shqiptar me atë kosovar, por që ka trajtuar edhe probleme të tjera. Në v. 1991-1993 kryeredaktor i gazetës “Besa” ishte Nikolla Spathari.
BESËLIDHJET
Beslidhjet kolektive, janë institucione të rëndësishme që lidhen me marrjen e vendimeve të mëdha kur kërcënohet vendi nga armiqtë apo një ideologji e caktuar që dëmton shoqërinë. Ato shpesh kanë patur edhe karakter ekonomik. Në Malësitë e Veriut shpesh këto janë qujatur edhe kanune lokale. Shumë prej tyre janë edhe të botuara në libra të ndryshëm. Në historinë e hapësirës shkodrane njihen shumë besëlidhje…….vazhdon




