Guterres: OKB-ja do t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit raport për shkeljet izraelite në Siri…

Shpërndaje

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë të ditur se më vonë gjatë këtij muaji OKB-ja do t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit një raport të detajuar mbi shkeljet izraelite në Siri, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media në Damask, Guterres theksoi se shkeljet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë janë “të papranueshme”, duke i bërë thirrje Izraelit të respektojë Marrëveshjen e Shkëputjes së Forcave të vitit 1974.

“Masakrat që ka përjetuar Siria nuk e kanë thyer vendosmërinë e popullit sirian për të ndjekur aspiratat e tij legjitime”, shtoi ai.

Ai gjithashtu paralajmëroi se ndihma humanitare e OKB-së aktualisht plotëson vetëm rreth 20 për qind të nevojave të popullit sirian.

Guterres tha se vizita e tij në burgun Sednaya zbuloi përmasat e tmerreve të përjetuara atje, ku dhjetëra mijëra njerëz u vranë dhe u torturuan.

Ai shprehu vendosmërinë për të bërë gjithçka që është e mundur për të mbështetur tranzicionin në Siri, të mbështetur ndërkombëtarisht, për të cilin tha se po ecën në drejtimin e duhur.

​​​​​​​Shefi i OKB-së tha se procesi i drejtësisë tranzicionale në Siri është në zhvillim e sipër, duke theksuar nevojën për të garantuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera gjatë viteve të fundit.

Shpërndaje