
Protestuesve që poshtë zyrës së tij kundërshtuan dokumentin “Besa”, Kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj përmes një statusi në rrjetet sociale, duke i cilësuar komentet për dokumentin që ka paraqitur si një shenjë reflektimi nga protesta qytetare, por edhe si “muhabete sorrash e korbash”.
“Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes WhatsApp-it, nga miq a të panjohur, muhabete sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment: Përsërisin që s’duan ‘dialog’, s’ka ‘negociata’, s’japin ‘besë’, por duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh”.
Rama zotohet se nuk ka ndërmend të prishë kontratën me 800 mijë shqiptarët që e kanë votëbesuar.
“Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo! Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove. Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, por jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve”.
Ndaj dhe kërkesën e tyre për dorëheqje, që prej dy muajsh e artikulojnë poshtë zyrës së tij, Rama e cilëson të panegociueshme, duke u prerë çdo shpresë se do të largohet nga pushteti të paktën deri në vitin 2029.
“Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN, sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë. Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata, por është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike”.
Besa e Ramës do të ketë si test të parë pikërisht projektin e Zvërnecit. Brenda 90 ditësh synohet të zhvillohen dëgjesa, përfshirë edhe grupet që protestuan, si dhe të bëhen publike dokumente apo të realizohet një vlerësim paraprak, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e atij projekti që ishte fillesa e protestës qytetare.




