VIDEO/ Dhurimi i koleksionit fotografik të Safet dhe Gjylzade Dokle…

Në vijim të përmbushjes së misionit të tij, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka bashkëpunuar prej disa muajsh me z. Ramadan Dokle, trashëgimtar i koleksionit fotografik të prindërve të tij Safet dhe Gjylzade Dokle, me qëllim dhurimin e këtij koleksioni.

Aktiviteti fotografik i Safet e Gjylzade Dokles i zhvilluar në Borje të Shishtavecit të Rethit të Kukësit shtrihet nga vitet ’30 deri në vitet ’70. Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë veri-lindore. Ky koleksion është më i madhi i dhuruar ndonjëherë mbas ’90 Fototekës Marubi, i cili përbëhet nga 19.548 negativë, 31 albume me fotografi dhe 33 objekte të laboratorit fotografik.

Në vazhdën misionit për të shpëtuar koleksionet fotografike të dëmtuara apo që ruhen në kushte të pa përshtatshme në Shqipëri, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë disa nisma të shpëtimit të koleksioneve fotografike, si në rastin e koleksionit të Osman dhe Mehmet Kallfës në 2015 dhe të fotografit Pirro Mosit në 2016.