
Artistja vizuale nga Kosova, Majlinda Kelmendi, po zhvillon në Galeri ODA në Shkodër projektin artistik “Intersections: Art, Space and Contemporary Narratives”, në kuadër të programit evropian Culture Moves Europe, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Goethe-Institut. Projekti realizohet në bashkëpunim me Galerinë ODA dhe do të zgjasë 17 ditë, nga 10 deri më 26 korrik 2026.

Nisma fokusohet në eksplorimin e lidhjes mes artit, hapësirës publike dhe narrativave bashkëkohore. Gjatë qëndrimit në Shkodër, artistja po angazhohet në kërkime në terren, dokumentim fotografik, skicime, analiza të mjediseve urbane, si edhe në takime me artistë, kuratorë e profesionistë të fushës. Projekti përfshin gjithashtu punëtori, diskutime publike dhe krijimin e një vepre artistike të konceptuar posaçërisht për hapësirën ku do të ekspozohet.

Në fazën e parë të projektit janë zhvilluar sesione bashkëpunimi me ekipin e Galerisë ODA, punëtori kreative dhe diskutime mbi ndikimin që kujtesa kolektive, arkitektura dhe përvoja njerëzore kanë në formësimin e identitetit të qytetit. Idetë e mbledhura përmes brainstorming-ut, vizatimeve konceptuale dhe vëzhgimit të hapësirës urbane po shërbejnë si bazë për realizimin e veprës.

Projekti do të përmbyllet me një prezantim publik të punës së realizuar, si dhe me organizimin e një workshop-i në javën e fundit të programit. Përmes kësaj nisme synohet të forcohet bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja bashkëpunimi për artistët në nivel ndërkombëtar.






