“Vaksinimi brenda 14 muajsh”/ Rama: Pas Tiranës, vazhdojmë në Shkodër e Vlorë…

Qeveria shqiptare ka si ambicie që procesin e vaksinimit ta mbyllë brenda 14 muajsh.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se skenari më i keq është ky proces të përfundojë pas 24 muajsh.

Ai u shpreh nga foltorja e Kuvendit se qeveria është e përgatitur dhe do të nisë hapjen e qendrave të vaksinimit edhe në Shkodër e Vlorë.

“Ne në radhë të parë kemi nevojë të garantojmë të gjitha sasitë që na duhen për planin kombëtar të vaksinimit. Ka tre skenarë, skenari më ambicioz është vaksinimi i të gjithë grupeve brenda 14 muajsh, skenari i mesëm ka një agjendë 18-mujore dhe i treti 24-mujore. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar sipas skenarit të parë dhe me votimin sot të Kuvendit, hapet rruga për të marrë sipas marrëveshjes së dakordësuar në parim dozat. Shkallë-shkallë mund të porosisim edhe sasi të tjera edhe nga Pfizer. Dua të nënvizoj që siç ju ka rënë në sy, edhe nga fakti se Pfizer bëri një deklarim publik që ka krijuar shumë pakënaqësi, për shtyrjen me javë të angazhimeve të veta në raport me vendet ku është angazhuar për të rritur prodhimin. Ky është një proces që ka të papriturat e veta. Ne jemi të përgatitur dhe qendra e vaksinimit në Tiranë, të shtrihet në Shkodër, në Vlorë dhe me radhë në të gjitha pikat e përcaktuara në plan. Në mënyrë që aksesi i njerëzve të jetë sa më i lehtë.”