Tre komisionet hetimore dhe çmimi i bukës, Basha: Gati ofensiva në parlament…

Opozita nis betejën parlamentare. Lulzim Basha u shpreh në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së grupit parlamentar se opozita do të nisë ofensivën kundër qeverisë me tre komisione hetimore, që janë; 25 Prilli, që lideri i PD-së e cilëson “masakër zgjedhore”, inceneratorët dhe cështja “Becchetti”. Rritja e çmimeve, kryesorja e bukës është një nga pikat e tjera të opozitës, që do të kërkojë uljen e çmimeve të shportës.

“E para ku duhet të ndalem është gjendja me të cilët ballafaqohen gjithë shqiptarët sot. 97% e shqiptarëve do të thotë të gjithë shqiptarët. Dhe vetëm sot, INSTAT-i ka publikuar të dhëna që vijnë nga vet, pra një organ tashmë nën thundrën qeveritare që tregojnë realitetin, që çdo shqiptarë, çdo prind e prek tavolinën e bukës, e prek në gjendjen në të cilën i ka çuar fëmijët sot në ditën e parë. Dhe kjo është varfëri ekstreme, e cila po shërbehet nga rritja galoponte e çmimeve që keni vënë re. Nisi me çmimin e bukës, por është shtrirë me çmimet e tjera të shportës ushqimore, të ushqimeve në tërësi, të gazit, të naftës, të energjisë, të ujit e kështu me radhë. Ndaj, ne nuk mund të rimë përpara kësaj situate të thjesht në rrafshin e denoncimit, pavarësisht se fajtori dihet.

Janë politikat zhvatëse të kësaj qeverisjeje dhe mentaliteti i një grupi që mendon vetëm për xhepat e vet dhe të klientëve dhe të ortakëve të vet, që në çdo aspekt, paratë i çon nga qytetarët tek këto xhepa. Dhe pikërisht për të goditur këtë sjellje, por mbi të gjitha për të sjell një lehtësim për qytetarët shqiptarë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në kohën më të shkurtër të mundshme propozimin për të vendosur uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar, mbi mallrat e shportës ushqimore nga 20, në 6%. Dhe nuk e kam fjalën thjesht për shportën ushqimore në kuptimin e ngushtë të fjalës, por për të gjithë ato mallra të cilat afektojnë jetën e përditshme të qytetarëve.

Ky nuk është thjeshtë një propozim politik, ky është një hap i domosdoshëm për të ndihmuar njerëzit të cilët sot janë në nevojë ekstreme. Nuk është hera e parë që ballafaqohemi me shifra që tregojnë se sa e thellë është varfëria, se si këta po e thellojnë dita ditës. Por ky është edhe një veprim politik, shqiptarët duhet ta kuptojnë se forcën që na kanë dhënë me 25 prill, pavarësisht prej masakrës zgjedhore ne do t’i kërkojmë uljen e TVSH duke provuar qartë se ky shtet pavarësisht se i rrënuar, i grabitur, i zhvatur prapëseprapë e ka mundësinë qe duke ia u hequr paratë, favoret, një grushti njerëzish për të cilët punon kjo qeveri t’i shërbejë këtyre 97% te Shqiptarëve pikërisht pra duke ulur TVSH si një hap të parë dhe të menjëhershëm për këtë krizë te thellë ekonomike dhe për thellimin e kësaj krize përmes rritjes së çmimeve te ushqimeve bazë dhe shërbimeve bazë. E dyta ka të bëjë me atë që preku zoti Stafa, ka të bëjë me faktin pse jemi në këtë parlament në? Ne jemi në këtë parlament ne funksion të kthimit të legjitimitetit dhe të demokracisë në vend i cili është asgjësuar nga masakra zgjedhore e 25 prillit.

Ndaj tre komisionet hetimore do të targetojnë i pari masakrën zgjedhore në të gjithë komponentët e saj por me theks tek ato që tashme janë dhe në raportin e OSBE-ODIHR të konfirmuara si krimi zgjedhore , që nga sistemi kriminal i patronazhistëve që vodhi dhe përdori të dhënat personale dhe private të qytetarëve për t’i shantazhuar ata, tek keqpërdorimi i burimeve shtetërore, tek keqpërdorimi dhe abuzimi me fondet e tërmetit, me legalizimet, me punësimet, e kështu me radhë. Komisioni tjetër do të merret me një çështje që e ka marrë vesh gjithë bota tashmë, që është çështja Beketi, ku për shkak të luftës personale politike të Edi Ramës shqiptarëve iu duhet te paguajnë tani 120 milionë euro që po jua them janë baras me dy herë ato paketa gjysmake që qeveria dha gjoja për ndihmë ekonomike gjatë pandemisë. Tani do t’i marrë një njeri për shkak të luftës personale me Edi Ramën. Kjo do të hetohet, përgjegjësit do dalin hapur para shqiptarëve dhe ne do të ndjekim pastaj, të gjithë hapat e tjerë të mundshëm për t’i vënë ata përpara drejtësisë.

E treta, ka të bëjë po kështu me një çështje të mirënjohur për opinionin publik, e cila me siguri nuk do të zërë vend kryesor në kronikat e lajmeve sonte po shpresoj të jemi live tani, që është çështja e inceneratorëve. Mafia e inceneratorëve, bashkëpunimi i tyre me zyrtarët më të lartë të shtetit, përbën një korrupsion në kurriz të qytetarëve shqiptarë, përbën po kështu një masakër shëndetësore mbi shqiptarët. Kush i ka harruar pamjet e qyteteve tona që digjeshin gjatë verës, vetëm e vetëm për të justifikuar që ato pak para që i kanë mbetur të taksave të shqiptarëve, t’i çonin te mafia e inceneratorëve.

Pra, këto janë fillimi i një ofensive parlamentare , të pjesës parlamentare të ofensivës, e cila do të kompletohet me të gjithë komponentët e saj. Kam dhe një mesazh tjetër, që i drejtohet natyrisht, drejtësisë që të bëjë punën e saj, sigurisht, në qoftë se drejtësia do të jetë apo do të ishte në lartësinë e saj, shumica e këtyre çështjeve, sot do të kishin të pandehur, me pranga në duar. Gjithsesi, ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë, për të cilën kemi marrë fuqinë dhe besimin e qytetarëve dhe do ta çojmë punën përpara, në këto katër drejtime kryesore, duke filluar që nga kjo javë e do ta vazhdojmë më tej edhe me çështje të tjera të rëndësishme për shqiptarët siç janë; pandemia apo të tjera çështje që prekin drejtpërdrejt njerëzit” deklaroi Basha.

Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, që PD e cilëson “masakër zgjedhore” do ta drejtojë Enkelejd Alibeaj. Komisionin Hetimor për çështjen “Becchetti” lidhur me humbjet e gjyqit në arbitrazh, Lulzim Basha ia ka besuar Gazment Bardhit. Ndërsa Komisioni Hetimor për Inceneratorët do ta drejtojë Jorida Tabaku./ db/Abcnews.al