Takimi i Ramës me gjimnazistë në Shkodër, reagon deputeti Helidon Bushati

Shfaqja e Ramës sot në Shkodër, kohë e çuar dëm

Të rinjtë, gjimnazistët, studentët janë më të prekurit nga keqeverisja 8 vjeçare e Edi Ramës. Të rinjtë e Shkodrës edhe më shumë.

Rritja e varfërisë, mungesa e investimeve, vendet e punës në tkurrje, shpërfillja dhe në fund, ndalimi për të dhënë gjykimin me anë të votës së lirë e të ndershme, janë arsye të mjaftueshme për të vrarë besimin dhe shpresën e tyre.

Nuk është rastësi se Shqipëria ka numrin më të lartë në botë të të rinjve që ikin dhe kërkojnë të jetojnë në vendet e BE-së.

Të gjitha këto privime dhe pamundësi, janë edhe më të shumta për të rinjtë e Shkodrës, pasi qyteti ynë është penalizuar me qëllim këto 8 vite, për shkak të zgjedhjes që ka bërë, duke mos e votuar rilindjen.

Ndaj nuk është aspak më shumë se hipokrizi shfaqja që bëri sot në Shkodër, Edi Rama.

Arnimi i propagandës me copa e dekore të reja nuk e zgjidh krizën dhe nuk jep shanse për të rinjtë. Duhen akte dhe politika konkrete. Por më së pari, lypset zgjidhje politike.

Kjo qeveri është konfirmuar se nuk ofron alternativë, projekt e të ardhme.

Logoreja e Shkodrës sot ishte thjesht një kohë e çuar dëm, shkruan Helidon Bushati.