Situata Covid-19: Prefektja Angoni takim me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër…

Në cilësinë e kryetares së Task- Forcës vendore, anti-covid, Prefekti i Qarkut Shkodër, zj. Majlinda Angoni, zhvilloi një takim pune me drejtuesin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, z.Niko Brahimaj.

Në fokus të takimit ishin masat e marra për parandalimin e infektimit të personave me Covid-19 në Qarkun Shkodër.

Prefektja Angoni, nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe delegoi detyra konkrete duke urdhëruar për kontroll të shtuar të karantinimit të personave me Covid-19 pozitiv, deri në provën e analizës negativ të tij/saj.

“Të bashkëpunohet me median lokale për ndërgjegjësimin e qytetarëve për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”– nënvizoi Angoni.

Në cilësinë e drejtuesit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, z.Brahimaj u shpreh se po vihet re një komunitet më i ndërgjegjësuar, përkrahës e shumë mbështetës që ka lehtësuar ndjeshëm punën e policisë.

Në përfundim të takimit, Z.Brahimaj shprehu gadishmërinë maksimale institucionale dhe të garantimit të rendit e sigurisë publike, pavarësisht kushteve tejet të vështira të situatës së pandemisë që edhe për strukturat policore ndikon ndjeshëm në ushtrimin e detyrës së tyre.