Shqiptarët, ndër 20 shtetet e para në botë dhe të parët në rajon, që nisin fëmijët të pashoqëruar për azil në BE

Në kërkim të një jete më të mirë, prindërit shqiptarë nuk kanë ngurruar t’i nisin fëmijët të pashoqëruar në shtetet e Bashkimit Europian edhe në vitin e pandemisë, 2020.

Sipas të dhënave të Eurostat janë raportuar gjithsej 70 fëmijë të pashoqëruar që kanë aplikuar për azil gjatë vitit 2020, nga 160 vitin e mëparshëm në vendet e BE-së dhe 75 gjithsej, duke përfshirë edhe Zvicrën.

Ndonëse në rënie, sërish Shqipëria mban rekord në rajon. Asnjë nga familjet e Maqedonisë, Bosnjës, Serbisë, apo Malit të Zi nuk ka shifra aq të larta sa të Shqipërisë. Pas vendit tonë renditet Kosova me 15 aplikime nga minorëne të pashoqëruar. Serbia ka 10 të tillë, dhe Maqedonia e Veritu dhe Bosnjë-Hercegovina nga 5.

Numri më i lart ëi aplikimeve nga fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria u arrit në 2015-n, me 585, që përkon me periudhën kur kërkesat totale për azil arritën rekordin, duke rezultuar në rreth 60 mijë.

Në 2020-n, numri më i madh i aplikimeve nga fëmijët e pashoqëruar ishte në Belgjike (15), Suedi (15) dhe Gjermani (15), të ndjekur nga Greqia (5), Franca (5), Italia (5), Luksemburgu (5), Holanda (5), Zvicra (5), etj.

Aplikimet në Europë 

Sipas Eurostat, në vitin 2020, rreth 13 600 aplikantë për azil në Shtetet Anëtare të BE u konsideruan të jenë të mitur të pashoqëruar, me një rënie prej 4% krahasuar me 2019 (14 100), duke vazhduar trendin rënës që filloi pas vitit të pikut 2015 (92 000).

Të miturit e pashoqëruar përbënin 10% të të gjithë aplikantëve për azil të moshës më pak se 18 vjeç në BE në vitin 2020. Shumica (88%) ishin meshkuj. 67% ishin të moshës 16 deri 17 (9 100 persona), ndërsa ata të moshës 14 deri në 15 vjeç përbënin 22% (3 000 persona) dhe ata të moshës nën 14 vjeç për 11% (1 500 persona).

Vendet kryesore të shtetësisë së aplikantëve të azilit që konsiderohen të mitur të pashoqëruar ishin Afganistani, Siria dhe Pakistani, së bashku duke llogaritur dy të tretat e të gjitha kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar në Shtetet Anëtare të BE-së në vitin 2020.

Afganët (5 500 të mitur që kërkojnë azil të pashoqëruar, ose 41% e totalit të BE-së) vazhduan të ishin shtetësia kryesore e të miturve të pashoqëruar në Shtetet Anëtare të BE-së, siç ka ndodhur që nga viti 2008 (d.m.th. fillimi i serive kohore). Sirianët (2 300 ose 17% e totalit të BE-së) ishin shtetësia e dytë kryesore për të dytin vit radhazi. Pakistani (1 100 ose 8% e totalit të BE-së) vazhdoi të jetë shtetësia e tretë kryesore siç ishte rasti në 2019.

Me 2 800 aplikime të regjistruara në vitin 2020, Greqia zinte mbi 20% të të gjithë aplikantëve të azilit që konsiderohen të mitur të pashoqëruar në BE. Ajo u pasua nga Gjermania (2 200, ose 16%), Austria (1 400, ose 10%) dhe Belgjika (1 200, ose 9%), Hollanda dhe Rumania (1 000, ose 7% secila). Këto gjashtë vende së bashku përbënin mbi 70% të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar në BE.

Duke parë tre shtetësitë kryesore të të miturve të pashoqëruar që kërkojnë azil, gati gjysma e afganëve aplikuan në Greqi (900), Belgjikë ose Rumani (800 secila) në vitin 2020. 60% e Sirianëve kërkuan mbrojtje në Gjermani (500), Holandë ose Austri (400 secila), ndërsa shumica e madhe (68%) e pakistanezëve aplikuan në Greqi (700).