Shkon në 120 numri i vîktîmave nga Covid, 3 të vdekur dhe 68 raste të reja në 24 orë

Në 24 orët e fundit numri i të prekurve më koronavirus ka rënë ndjeshëm krahasuar me një ditë më parë.

Fatkeqësisht 3 qytetarë kanë humbur jetën, ndërsa të shtruar në dy spitale janë 124 pacientë. Ministria e  Shëndetësisë ndërkohë po rekruton staf mjekësor i cili do të shërbejë në spitalin karantinë Covid 3.

Vazhdon të paraqitet serioze situata nga koronavirusi në vend. Në 24 orët e fundit 3 pacientë me Covid-19 e kanë humbur betejën me virusin duke e çuar në 120 numrin e të vdekurve që prej fillimit të pandemisë.

Viktimat janë një 57 vjeçare dhe një 80 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese, dhe një 62 vjeçar nga Fieri pa sëmundje të tjera.

Ndërkohë nga 496 testime të kryera, 68 raste kanë rezultuar pozitive me koronavirus.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 10 në Krujë, 5 në Durrës, 3 në Shkodër, nga 2 raste në Dibër, Shijak, nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Elbasan Kukës, Lezhë, Vlorë, Tropojë, Kamëz, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Prrenjas, Klos.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 66 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve në 2463 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë, 20 në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë ju rikujton edhe njëherë të gjithë qytetarëve mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe kudo nuk është e mundur të ruhet distanca fizike.

“Ju lutemi, tregoni kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike. Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19” apeloi Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.