Shkodër/ Lleshaj thirrje emigrantëve: Mos e vizitoni Shqipërinë në këtë kohë pandemie!

Pas situatës kaotike të krijuar në doganat shqiptare ditët e fundit, me shqiptarë të bllokuar në zonat neutrale, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u ka bërë thirrje nga Shkodra të gjithë shqiptarëve rezident në vendet e tjera që të mos e vizitojnë Shqipërinë gjatë kësaj periudhe pandemie.

Por Lleshaj nuk dha përgjigje për shqiptarët që nuk janë rezidentë, por që kanë qenë vizitorë  apo me punë sezonale në vende të ndryshme të BE dhe u ka skaduar leja e qëndrimit.

Dhe në fakt është ky grup që është dyndur drejt kufijve, për tu futur në territorin shqiptar.

Lleshaj: Ka shumë shqiptarë jashtë vendit, por në kushte të masave të jashtëzakonshme sot u bëjmë thirrjen e kundërt. Nëse ne normalisht i thërrasim të gjithë shqiptarët të vinë në Shqipëri ta vizitojnë, sot u bëjmë thirrje të mos vinë në Shqipëri, të mos e vizitojnë sepse bëjnë dëm për vete dhe për familjet e tyre. Kjo mbetet e qartë për të gjithë qytetarët. Ata që janë rezidentë në vende të tjera nuk janë të lejuar për të ardhur në Shqipëri gjatë këtyre ditëve. Ashtu sikundër nuk lejohet asnjë shkodran të shkojë në Tiranë, apo i Tiranës të shkojë në Korçë e me radhë.