Shkodër/ Hapet Bypassi, Ministrja Balluku e pranishme…

Balluku: Pjesë e segmentit Tiranë – Hani i Hotit

Punimet në Lotin e parë të Bypass-it të Shkodrës kanë përfunduar, e tashmë ky aks është i hapur edhe për lëvizjen e automjeteve. Teksa pa nga afër punimet, ministrja Belinda Balluku tha se përveç korsive për makina apo biçikleta, ky aks do të shërbejë edhe si një pedonale për qytetarët shkodranë.

“Kjo është pjesë e segmentit Tiranë – Hani i Hotit, megjithatë për Shkodrën unë do ta quaja edhe një shëtitore shumë të bukur. Shpejtësia është 60km/orë”, tha Balluku.

“Është një lot që përbëhet nga 4.8 kilometra gjatësi, me dy kalime nga 7 metra gjerësi për lëvizjen e makinave. Ky segment do të lehtësojë shumë trafikun dhe lëvizjen brenda qytetit”, tha drejtori i ARRSH.

Balluku shtoi se Shkodra do të preket edhe nga të tjera investime infrastrukturore.

“Për shkak të korridorit Adriatiko-Jonian ne do t’i japim një vëmendje të veçantë edhe pjesës së doganës së Muriqanit. Duke pasur parasysh punën që do të bëhet, përsëri do të ketë ndërhyrje të tjera infrastrukturore, të cilat do ta bëjnë Shkodrën të dalë direkt në atë korridor, duke lënë gjithmonë alternativën e rrugëve ekzistuese”. 

Ky aks rrugor do ti shërbejë atyre qytetarëve që lëvizin drejt doganës së Hanit të Hotit apo rrethinave të Malësisë së Madhe, duke shmangur në këtë mënyrë hyrjen në brendësi të qytetit të Shkodrës.