Sherr mes Fevziut dhe Mira Kazhanit për rrogën tek UKT

Një debat i ashpër ka nisur në distancë mes Blendi Fevziut dhe Mira Kazhanit pasi u zbulua se kjo e fundit bashkë me Bieta Sulon paguheshin nga UKT.

Në një intervistë në Syri Tv, Fevziu e cilësoi të papranueshëm faktin që një gazetar të paguhej nga pushteti.

“Shpeshherë shumë analistë ftohen në debate jo për të dhënë mendim të paanshëm, por për të dhënë mendim të anshëm. Në gjykimin tim është absolutisht e papranueshme, jashtë çdo standardi, që dikush të paguhet në një strukturë tjetër, qoftë politike ose jo, dhe të ruajë më pas edhe staturën e gazetarit.

Kush merret me gazetari le të qëndrojë brenda gazetarisë. Unë e di që ka gazetarë që bëjnë dy-tre punë, por bëjnë dy-tre punë brenda profilit të tyre. Një punë që bie ndesh me impenjimin që ka, sigurisht që është e papranueshme”, tha Fevziu duke sjellë edhe reagimin e pritshëm të Mira Kazhanit.

Parmes një postimi në Instagram, Kazhani e cilësoi Fevziun si sherbëtor të oligarkëve duke thënë se jeton në një vilë 5 milion euro.

“Këto ditë pandemie me dy gjëra janë argëtuar shqiptarët: Rroga ime si punë e dytë shteti dhe vila 5 milionë euro e Fevziut ku ai poston në Istagram luksin e tij.

Me rrogën time mund të shtysh muajin, por me miliardat e Fevziut gjithë jetën e tij në shërbim të pushtetit, politikanë e oligarkë, shqiptarët mund të shikojnë atë çfarë është vërtet korrupsioni në shtypin shqiptar.

Dhe të vjen neveri kur për rrogën time bëhet gjyq nga Fevziu, kurse për miliardat e Fevziut nga pushtetet bëhen emisione suksesi.

Sa për mua, unë kam bërë vërtet një gabim, etik, për të cilin po mendohem mirë” , shkruan gazetarja.