Sfida me Pejën për Ballkan Ligë, optimizëm te Vllaznia. Vujaçiç i jep zemër skuadrës

Nesër, Vllaznia në basketboll për meshkuj luan një ndeshje të rëndësishme në Ligën Ballkanike. Kuqeblutë presin në ora 18:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Pejës nga Kosova. Në prag të kësaj sfide trajneri i kuqebluve Darko Vujaçiç shprehet optimist për një rezultat pozitiv.

“Në ndeshjen e kaluar që kemi luajtur me Pejën, ajo kishte një grup lojtarësh më të mirë se ne dhe prandaj na mundi, ndërsa në këto momentet që po flasim, ne kemi një grup më të mirë se ky kundërshtar dhe më të përgatitur se ato. Peja dhe Akademik Bulteks janë ekipet favorite për të fituar sivjet Ligën Ballkanike, por kjo gjë nuk na pengon ne të kërkojmë fitoren nesër. Duhet të tregojmë lojë të mirë në mbrojtje por edhe në sulm ashtu siç jemi përgatitur gjatë kësaj periudhe. Vllaznia nuk do të dorëzohet në Ligën Ballkanike dhe do të synojmë fazën e plej-ofit.”

Gjithsesi fokusi vijon të jetë në kampionat, ku Vujaçiç shton: “Fokusi jonë siç dihet është i përqendruar në kampionatin shqiptar dhe prandaj do t’i marrim sfidat një e nga një duke u përqendruar fillimisht tek Partizani që ka një ekip të mirë por ne na duhet të fitojmë ndaj tij. Vllaznia ka objektivi të fitojë titullin kampion dhe do ta tentojë këtë deri në fund, kuptohet duke patur edhe mbështetjen e tifozëve tanë.”

Ndërkohë në konferencë për mediat ishte edhe basketbollisti shkodran Redi Rakaj, që theksoi: “Skuadra nuk ka qenë në 100% të saj, për shkak të disa dëmtimeve të lojtarëve. Por, besoj që nesër ekipi do të jetë në 100% të tij dhe jam optimist për një rezultat pozitiv, duke marrë parasysh përgatitjen. Kemi nevojë për eksperiencë, jo vetëm nga trajneri por edhe lojtarët e huaj që kanë luajtur në kampionate të ndryshme dhe kjo na ndihmon.”