
Në Galerinë ODA në Shkodër është hapur ekspozita personale e artistes Rozafa Shpuza me titull “Qyteti që m’rri në sy”, një aktivitet që tërhoqi vëmendjen e shumë artdashësve dhe qytetarëve. Në këtë mbrëmje morën pjesë edhe përfaqësues të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, mes tyre rektori Gjuraj, zv.rektorja Laçej, si dhe pedagogë e studentë.
Kjo ekspozitë vjen si një rrëfim i brendshëm dhe mjaft personal i artistes, duke shkuar përtej një prezantimi të zakonshëm. Sipas autores, kjo përvojë përmbledh ndjesi të ndryshme, nga malli e deri te frika, por mbi të gjitha dashuria, duke e kthyer hapësirën e galerisë në një vend ku kujtimet dhe emocionet marrin jetë përmes artit.
Përmes këtij prezantimi, Rozafa Shpuza, njëkohësisht pjesë e administratës së universitetit, tregon përfshirjen e saj aktive në jetën kulturore të qytetit dhe rolin që arti luan në lidhjen mes institucionit akademik dhe komunitetit. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” vijon të mbetet një qendër që nxit bashkëjetesën e dijes me krijimtarinë artistike.
Ekspozita është kuruar nga Fatmir Juka, ndërsa posteri është realizuar nga Senad Xhexhovi, të dy pedagogë dhe artistë të njohur pranë universitetit.













