Risku ndaj fatkeqësive, krijohet Komisioni Teknik Këshillimor, gjashtë përgjegjësitë që do ketë…

Qeveria ka vendosur që të plotësojë kuadrin ligjor sa i takon fatkeqësive natyrore dhe zvogëlimit të riskut ndaj tyre.

Me një vendim të veçantë në mbledhjen e fundit u miratua krijimi i Komisionit Teknik Këshillimor (KTK) që do të jetë nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Mbrojtjes.

KTK-ja kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe ka në përbërje përfaqësues të ministrive, të strukturave në varësi të tyre dhe të institucioneve duke nisur nga Ministria e Mbrojtjes tek operatorët e energjisë. Në total janë të paktën 35 institucione ku disa të përhershëm e të tjerë me ftesë sipas rastit.

Sipas vendimit niveli i përfaqësimit në KTK është drejtues ose specialist, i cili, në ushtrimin e detyrës së tij, ka kompetenca për çështjet e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, sipas fushave të përgjegjësisë shtetërore të institucionit apo të strukturës që përfaqëson.

Këshilli thirret dhe drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sa herë që ai e gjykon të nevojshme, por jo më pak se një herë në gjashtë muaj; Në varësi të nevojave, në mbledhjet e KTK-së ftohen edhe përfaqësues nga institucione shkencore dhe monitoruese, organizatave joqeveritare etj.

Komisioni Teknik Këshillimor ka të paktën 6 përgjegjësi ku së pari të shqyrtojë strategjitë, politikat, programet dhe planet për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, me qëllim mbrojtjen e jetës së njerëzve, të pronës, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit.

Së dyti të shqyrtojë dhe të rekomandojë për çështjet që lidhen me programet e edukimit/arsimimit për strukturat e sistemit të mbrojtjes civile dhe publikun e gjerë në fushën e mbrojtjes civile.

Së treti të shqyrtojë dhe të analizojë planet për emergjencat civile, të përgatitura nga institucionet shtetërore e joshtetërore, dhe të japë rekomandimet përkatëse, sipas rastit.

Së katërti të ndihmojë në përmirësimin e sistemit të mbrojtjes civile, vënien në efiçencë të plotë të tij, përcaktimin e prioriteteve, si dhe identifikimin e nevojave.

Së pesti të kontribuojë në rrugët e zgjidhjes për masat parandaluese, të rehabilitimit dhe të rimëkëmbjes për lloje të ndryshme fatkeqësish natyrore ose fatkeqësi të tjera.

Së gjashti të shqyrtojë ose të vlerësojë studime në fushën e mbrojtjes civile.
Krijimi i KTK vjen një vit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit që gjeti Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në periudhë tranzicioni duke u ristrukturuar dhe duke u përshtatur me ligjin e ri. Po kështu në atë kohë ishin ende pa miratuar disa akte nënligjore./N.Maho/Monitor