
Shtetet anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) kanë votuar për largimin nga detyra të kryeprokurorit Karim Khan, pas përfundimit të një procesi disiplinor ku ai u shpall përgjegjës për një shkelje të rëndë lidhur me akuzat për abuzim seksual.
Vendimi konsiderohet i paprecedentë në historinë e GJNP-së dhe vjen pas një hetimi gati dyvjeçar, i nisur pasi akuzat ndaj Khan u bënë publike.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë The Guardian, 82 nga 125 vendet anëtare të gjykatës votuan pro shkarkimit të tij gjatë një mbledhjeje urgjente të zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Procedura disiplinore ndaj Khan u bazua në pretendime të ngritura nga një ish-punonjës i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Vetë Khan i ka mohuar kategorikisht akuzat, ndërsa mbrojtja e tij ka kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të procesit, duke e cilësuar atë si të padrejtë nga ana procedurale.
Khan, një avokat britanik, mori drejtimin e Prokurorisë së GJNP-së në vitin 2021 dhe kishte një mandat nëntëvjeçar. Gjatë kësaj periudhe ai udhëhoqi hetime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në disa prej çështjeve më të rëndësishme ndërkombëtare.
Akuzat ndaj tij u shfaqën në një periudhë të tensionuar, pasi zyra e tij kishte kërkuar urdhërarreste ndërkombëtare për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për akuza që lidhen me konfliktin në Gaza.
Largimi i Khan shënon një moment të rëndësishëm për Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe vjen në një kohë kur roli i institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare po përballet me sfida të mëdha politike dhe diplomatike.



