Rikthehet Forca e Ligjit, sekuestro në kushtet e emergjencës për 9 automjete

Operacioni Forca e Ligjit është rikthyer pas një periudhe pauze duke vendosur sekuestro në kushtet e emergjencës, për 9 automjete.

Në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020, bazuar në Nenin Nr. 19 “Sekuestrimi i pasurisë nga Policia e Shtetit në rastet e emergjencës”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për 9 automjete dhe një pasaportë dhe konkretisht: Tre automjete autovetura në pronësi të shtetasit E. D., banues në Farkë, Tiranë; automjeti fuoristradë në pronësi të shtetasit G. K., banues në Maqellarë, Dibër; automjeti Audia A6, në pronësi të shtetases V. H., banuese në Korçë; automjeti në pronësi të shtetases L. M., banuese në Lezhë; automjeti  në pronësi të shtetasit A. G., banues në Gjirokastër; automjeti në pronësi të shtetases E. K., banuese në  Gjirokastër; automjeti në pronësi të shtetases L. K., banuese në  Gjirokastër”, bën me dije policia.

Gjithashtu, i është bërë bllokimi i pasaportës dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit, për një afat 6-mujor, një shtetasi, banues në Lezhë.

“Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, automjetet i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve dhe dosjet pasurore të këtyre personave do t’i kalojnë SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Gjatë kësaj periudhe, OFL nuk ka ndërprerë asnjë ditë punën, por ka vijuar me veprime për kompletimin e dosjeve hetimore të shtetasve që janë subjekt i OFL-së”, sqaron policia.