Rënie e ndjeshme e votuesve në zgjedhjet parlamentare 2025 – Emigracioni dhe plakja, faktorët kryesorë…

Shpërndaje

Zgjedhjet parlamentare të majit 2025 treguan një rënie të theksuar të numrit të votuesve brenda vendit. Të dhënat zyrtare nga KQZ bëjnë me dije se në krahasim me vitin 2021, janë regjistruar 200 mijë votues më pak, duke zbritur nga 1,661,176 në 1,461,899 qytetarë që morën pjesë në votime, ose 12% më pak në nivel kombëtar.

Qarqet me rënien më të madhe

Rënia më e fortë u regjistrua në Qarkun e Beratit me -17%, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Gjirokastra me -16%. Këto zona po përjetojnë ndër vite emigracion të vazhdueshëm dhe plakje të popullsisë, që ka reduktuar bazën e votuesve rezidentë.

Në qarqet e mëdha si Fier, Durrës dhe Elbasan, rënia ishte dyshifrore dhe humbën së bashku mbi 70,000 votues. Edhe në veri, Kukësi, Lezha, Dibra dhe Shkodra patën ulje të konsiderueshme, me Shkodrën që ra me 15%. Kukësi, që ka përjetuar emigracion të hershëm, kishte rënie më të ulët (10%).

Tirana në rënie, por më dominuese

Tirana, megjithëse pati një rënie me 7.8%, mbetet qarku me peshën më të madhe elektorale, duke përfaqësuar 30.8% të votuesve aktivë, nga 29.4% në 2021. Ky ndryshim e bën kryeqytetin gjithnjë e më vendimtar në përcaktimin e rezultatit zgjedhor.

Shkaqet kryesore: emigracioni dhe lodhja politike

Rënia e votuesve lidhet kryesisht me emigracionin – sipas Eurostat, mbi 100 mijë shqiptarë emigruan drejt BE-së gjatë viteve 2022–2023. Të dhënat e Censusit 2023 tregojnë se Shkodra ka humbur më shumë popullsi që nga 2011.

Ndërkohë, edhe faktorë si plakja e popullsisë, mosbesimi i të rinjve te ofertat partiake, kostoja në rritje e jetesës dhe mungesa e alternativave politike kanë ndikuar në uljen e pjesëmarrjes.

Migrimi i brendshëm i paregjistruar dhe përditësimi i pamjaftueshëm i listave zgjedhore po krijojnë hendek midis listave dhe pjesëmarrjes reale.

Rreziku për legjitimitetin zgjedhor

Nëse kjo tendencë vazhdon, proceset zgjedhore në të ardhmen do të përballen me një elektorat gjithnjë e më të vogël dhe të përqendruar në Tiranë. Legjitimiteti i zgjedhjeve do të varet gjithnjë e më shumë nga përfshirja reale e diasporës dhe përditësimi i regjistrave civilë.

Shpërndaje