Rënia e lindshmërisë në Shqipëri reflektohet te ulja e bonusit për foshnjat e porsalindura…

Shpërndaje

Vetëm 1 milion euro janë shpërndarë për prindërit e bebeve të lindura në tre muajt e parë të vitit 2025, një shumë shumë më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në tremujorin e parë të vitit të kaluar ishin disbursuar rreth 5 milionë euro, duke shënuar kështu një rënie prej 80%.

Kjo rënie nuk është vetëm në krahasim me një vit më parë, por edhe me planifikimin zyrtar për këtë vit, i cili parashikonte një shpërndarje prej 5 milionë eurosh për periudhën janar-mars.

Ulja e fondeve për bonusin e lindjes lidhet ngushtë me numrin gjithnjë e më të ulët të lindjeve në vend. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar vetëm 4662 lindje, shifra më e ulët që nga viti 2011 për këtë periudhë. Krahasuar me vitin 2011, rënia e lindshmërisë arrin një mesatare prej 37.2%, ndërsa në disa qarqe shifrat janë edhe më shqetësuese.

Ky trend i rënies së lindjeve pritet të ketë pasoja serioze për të ardhmen, duke përfshirë mungesa në tregun e punës, presion në sistemin e pensioneve dhe ngadalësim të zhvillimit ekonomik.

Bonusi i lindjes, që është vendosur në vitin 2019, synon të mbështesë financiarisht familjet që sjellin në jetë fëmijë. Ndihma varion nga 40 mijë lekë për fëmijën e parë, në 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin e më tej. Për binjakët, përfitimi është 80 mijë lekë për secilin, ndërsa për më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh jepen 120 mijë lekë për secilën.

Kjo ndihmë jepet pavarësisht gjendjes sociale-ekonomike të familjes, me kusht që fëmija të regjistrohet në gjendjen civile brenda territorit shqiptar. Fëmijët e lindur jashtë vendit nuk përfitojnë bonusin.

Për vitin 2025, fondi total i planifikuar për bonusin e lindjes është 2.2 miliardë lekë, por ecuria e deritanishme sinjalizon se një pjesë e madhe e tij mund të mbetet e papërdorur.

Shpërndaje