Renditemi të fundit në Europë, emigracioni ul ndjeshëm numrin e mjekëve për banorë

Emigracioni i lartë, së fundi i përqendruar në individë të aftësuar po i vë në vështirësi disa profesione jetike për një popullatë. Një studim i profesorëve Gëdeshi dhe King zbuloi se numri i mjekëve për banorë ka rënë ndjeshëm në Shqipëri si rezultat i emigracionit përgjatë periudhës 2000-2018.

Në vitin 2000 Shqipëria kishte 140 mjekë për 100.000 banorë, në vitin 2016 kishte 120 dhe në vitin 2018 ky tregues ra në 110 mjekë. Studimi vë theksin se, numri i mjekëve, infermierëve dhe mamive për 100.000 banorë në Shqipëri, i cili është shumë më i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së (384 mjekë në vitin 2016), por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur duke u zvogëluar.

E njëjta tendencë rënëse vërehet edhe për infermierët dhe mamitë. Migrimi ndërkombëtar i stafit mjekësor, kryesisht në Gjermani, është një nga faktorët kryesorë që shpjegon këtë ulje, cilësojnë ekspertët.

Një vrojtim i realizuar në vitin 2018 tregoi se gjatë 5 viteve të fundit rreth 13% e stafit mjekësor kishte emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë.

Ndërsa numri i infermierëve që kanë emigruar nga Shqipëria gjatë periudhës 2014–2019 llogaritet në rreth 8.500 persona. Krahas kësaj, edhe shpërndarja e personelit shëndetësor në territorin e vendit – si pasojë e migrimit të brendshëm – është e pabarabartë.

Thuajse 51 % e mjekëve janë përqendruar në Tiranë dhe në shumë rrethe të prapambetura të vendit ka mungesë të mjekëve specialistë. Ulja e mëtejshme e numrit të mjekëve dhe infermierëve, ashtu si dhe shpërndarja e pabarabartë e tyre në territorin e vendit, do të sillte jo vetëm përkeqësimin e treguesve shëndetësorë të popullsisë, por edhe valë të reja të migrimit të brendshëm dhe ndërkombëtar, thonë ekspertët e studimit.

Ata shprehen se tendenca e lartë e emigrimit potencial, sidomos për disa grupe studentësh të fushave të caktuara, përbën një shqetësim dhe duhet të tërheqë vëmendjen e gjithë shoqërisë. Kjo mund të rrisë mungesat në segmentin e sipërm të disa profesioneve shumë të nevojshme në Shqipëri.

Në vend që të maturohet, fenomeni i emigracionit po përkeqësohet vit pas viti duke përfshirë së fundmi të rinjtë e arsimuar të cilët dëshirojnë të largohen masivisht nga vendi. Rezultatet e një anketë me 1650 studentë që u prezantuan dje treguan se 79 % e studentëve (mosha mesatare 22 vjeç), që studiojnë në Shqipëri, synojnë të emigrojnë jashtë vendit. Raporte të tjera e rendisin Shqipërinë ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë, sipas një harte të publikuar në faqen e Organizatës Botërore për Shëndetësinë (OBSH).

Më të dhënat që i referohen vitit 2016 Shqipëria kishte vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Europë (kjo shifër tashmë është më e ulët për shkak të emigracionit të mjekëve, duke zbritur në 11 mjekë për 10 mijë banorë në 2018).

Maqedonia e Veriut ka 29 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia (31), Mali i Zi (27), Bosnja (22). Rekordin në Europë e mban Greqia, me 55 mjekë për 10 mijë banorë. Italia e ka këtë tregues 40, Gjermania 42.5, Suedia (e vetmja që nuk e mbylli ekonominë nga koronavirues) e ka rreth 40, Austria 51.7.

Më pak mjekë se Shqipëria kanë vetëm vendet afrikane (disa kanë edhe më pak se 1 mjek për 10 mijë banorë, psh në Kongo me 0.7 mjekë). Shqipëria ia kalon dhe shteteve të tilla si Indisë (8.6), Pakistanit (9.😎, Afganistanit (2.😎.

Në botë, më shumë mjekë ka Lituania, me 63 për 10 mijë banorë. Kina e ka këtë tregues 20, Rusia 37.5, SHBA-të 26.

/Monitor