Karakaçi: Projekti Milot-Balldren përfshin tunel, ura dhe mirëmbajtje 35-vjeçare…

Shpërndaje

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, reagoi sot ndaj atyre që i cilësoi si dezinformata lidhur me koston e projektit të autostradës Milot–Balldren, duke theksuar se vlerësimi i një vepre të tillë nuk mund të bëhet vetëm mbi bazën e gjatësisë së saj.

Në një deklaratë, Karakaçi tha se krahasimet që mbështeten vetëm te kostoja për kilometër janë të pasakta, pasi çdo projekt infrastrukture ndryshon në varësi të karakteristikave të terrenit, kushteve gjeologjike dhe veprave inxhinierike që përfshin.

Ministri sqaroi se vlera totale prej 364,7 milionë eurosh i referohet kontratës koncesionare 35-vjeçare, e cila përfshin projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen rutinë dhe periodike, sistemin elektronik të monitorimit dhe tarifimit, si dhe riveshjen e autostradës gjatë periudhës së kontratës.

Sipas tij, kostoja e ndërtimit të vetë autostradës është 182 milionë euro.

Karakaçi bëri të ditur se projekti përfshin një tunel me dy tuba prej 850 metrash, një urë 620 metra mbi lumin Mat, një urë 223 metra mbi lumin Drin, pesë nyje në disnivel, rreth 9,5 kilometra rrugë dytësore, si dhe sistemet elektronike të monitorimit dhe tarifimit.

Ai theksoi se aksi kalon në një zonë aluvionale pranë bregdetit Adriatik, çka kërkon punime shtesë për stabilizimin e terrenit, drenazhimin dhe masa të tjera inxhinierike.

Ministri e cilësoi autostradën Milot–Balldren një projekt me rëndësi strategjike, pjesë të rrjetit evropian të transportit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe më tej me rrjetin TEN-T, duke shtuar se qeveria mbetet e angazhuar për realizimin e saj sa më shpejt.

Shpërndaje