Rama: Do fillojë puna për rilindjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ndodhet në ceremoninë e restaurimit të xhamisë Et’hem Beu në Tiranë bashkë me kryeministrin Edi Rama.

Rama tha se pas kësaj xhamie do të fillojë puna për rilindjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër.

“Së shpejti do të fillojë edhe puna për rilindjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër. Më pas do të punojmë për rilindjen e Beratit, Shkodrës”, tha Rama.

Kurse presidenti turk dha një lajm të mirë, duke siguruar se do të gjendet një zgjidhje për xhaminë e Namazgjasë deri në muajin e Ramazanit.

“Xhamia Et’hem Beu reflekton një bukuri në mes të Tiranës. Shpresoj që deri në muajin e Ramazanit ta kemi zgjidhur edhe problemin e xhamisë së Namazgjasë. Do keni vepra të tilla që do vihen në shërbimin tuaj”, tha Erdogan.

I pritur nga dhjetëra qytetarë shqiptarë, mes tyre dhe besimtarë myslimanë që mbështesin presidentin turk, ky i fundit i ka falënderuar të gjithë për pritjen prej disa orësh.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndodhet këtë të hënë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e para e tij për 2022-shin.

Ai mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së 522 banesave çelësave në Kurbin, të rindërtuara nga financimi i qeverisë turke, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin. Gjatë këtij takimi gjithashtu u nënshkruan edhe shtatë marrëveshje mes qeverisë turke dhe asaj shqiptare.