Odë e vjetër shkodrane e familjes Shurdha…

Dhoma muze e familjes “Shurdha”, shërbente si dhomë pushimi, një sallon i aristokracisë së shtëpive elitare asokohe, ku ndërthureshin hapësira, drita, ajri shoqëruar me gjuhën e bisedave të çajit rreth tregëtisë si tregues i statusit shoqëror të vetë familjes.

Ismail Shurdha, (gjyshi i Ahmet Shurdha) u lind në Shkodër në vitin 1881. Nga martesa e Ismailit me Safijen, erdhën në jetë Muhameti (babai i Ahmetit), Fetija dhe Belkizja. Në 1922, Ismaili, nisi tregëtinë i vetëm, dhe sëbashku me 5 tregtarë të tjerë blejnë anijen “Hulusije” të cilën e përdorën për qëllime tregtare në vitet 1903-1918.

Ismaili, duke parë prirjet e të birit, Muhametit, do të dërgonte atë me studime në Vienë të Austrisë, i cili pas rikthimit nga studimet do të bëhej asistenti dhe mblshtetësi kryesor për zhvillimin e biznesit familjar. Studimet e larta, Muhameti i kreu në Vienë, në vitin 1931 në degën biznes. Më tej, ai ndoqi një kurs për drejtshkrimin e gjuhës italiane në Firence, Itali që do ta ndihmonte në saktësimin e gjuhës tregtare. Z.Shurdha ishte një nga tregtarët më me emër në Shkodër, në Parrucë, me dugajën e tij të njohur si sapuntore “Ismail Vllazen Shurdha”, Shkodër.

Si një njohës i mirë i kokosit ai do të trashëgonte tregëtinë e të atit dhe për hir të shkollimit të tij në Austri, ai do të personalizonte njërin nga sapunët duke e pagëzuar me emrin “Vienos”. Krahas sapunit, z.Shurdha tregëtonte edhe kinkaleri, parfumeri vegla muzikore dhe sende me vlerë në vitet 1921-1945.

E shkuara e familjes Shurdha lidhet me prodhimin e pllakës së parë të gramafonit “Colombia” të cilin Ismail Shurdha, e solli për herë të parë në Shkodër në vitin 1931, si një risi për qytetin aso kohe ndjekur nga kolesione filxhanësh, çajnikësh dhe suveniresh nga Austria por edhe vende të ndryshme të botës.

Sot, Ahmet Shurdha, është trashigimtari më i rëndësishëm i një trashëgimie të vyer kulturore e historike për qytetin i cili bashkëjeton mes historisë së familjes dhe qytetit si një nga përfytyrimet më të veçanta të krenarisë dhe vlerave tona.