Një vit pandemi, mjeku Alimehmeti tregon mangësitë menaxhuese: Të nxirren mësime…

Brenda 12 muajsh në Shqipëri kanë humbur jetën 1,969 pacientë nga Covid-19, ndërsa rastet aktive ditore mbeten të larta. Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, i pranishëm në studion e Euronews Albania, u shpreh se ka ardhur momenti të bëhet një bilanc dhe të nxirren mësime mbi pandeminë.

“Ka ardhur momenti pas një viti të kemi një bilanc. Kemi një vit dhe duhet të nxjerrim mësim se çfarë duhet të mësojmë. Nuk kemi një bilanc. Pozitiviteti i testeve ka qenë shumë i lartë”, tha Mehmeti.

Ai u ndal konkretisht tek masat që Shqipëria ka marrë në përpjekje për të frenuar përhapjen e pandemisë Covid-19. Sipas  tij, kufizimi i orareve dhe karantina nuk është efektive pasi situata pandemike ndryshon nga një qytet në tjetrin. Mjeku kërkon nga strukturat përgjegjëse të bëjnë sa më shume teste në ato vende, të cilat konsiderohen si vatra të infeksionit.

“Rastet që rriten përkthehen rreth dy javë më pas në shifra spitalore dhe tre javë më parë në humbje jete. Sot ne dimë se ky është një virus që nuk do zhduket, masat dhe karantinat kanë vlerë kur një virus do zhduket, por ky nuk është i tillë. Masat gjithëpërfshirëse kanë një sens kur e gjithë popullata është njësoj e prekur. Një vit mbrapa nuk është e njëjta gjë dhe jo të gjithë qytetet janë njësoj. Është momenti që të jemi elegantë me masat. Kur merren masa të mëdha, por larg problemit nuk zgjidh asgjë. Ku ka vatër duhet të testojmë dhe mos t’i lëmë gjithçka karantinës dhe orareve. Ne jemi në survejancë pasive”, shtoi mjeku.

Lidhur me ecurinë e pandemisë në Shqipëri, mjeku Alimehmeti thotë se për të bërë këtë përcaktim duhen evidenca të sakta, të cilat sot nuk janë në dispozicion. Gjithsesi, z. Alimehmeti shprehet se me rritje e temperaturave pritet një rënie e numrave të infeksionit në Shqipëri.

“Parashikimi dihet të  bazohet në evidenca, evidencat nuk i kemi. Ne presim që me stinën e ngrohtë do kemi numra në rënie. E gjithë shpresa është që mos të kemi një situatë vjeshtë-dimër, dhe ne duhet t’i paraprijmë me vaksinë dhe ky do jetë një skenar shumë më i mirë”, tha ai.