Mbledhja e përbashkët mes qeverive Rama-Kurti, zbardhen disa nga marrëveshjet që do firmosen…

Të premten e 26 nëntorit në Elbasan pritet të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Disa marrëveshje që pritet të nënshkruhen në këtë mbledhje janë zbardhur nga mediat në Kosovë.

Ato që tashmë janë bërë të ditura, janë marrëveshja për sigurime shoqërore, ku është kërkuar autorizimi për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, marrëveshja për lejet e qëndrimit në afat 5-vjeçar, përmes një aplikimi të thjeshtë dhe ajo për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se marrëveshja në fushën e arsimit do të jetë për lehtësim të procedurës së njohjes së diplomave.

“Marrëveshja që do te nënshkruhet në fushën e arsimit është: Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-te (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave). Në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucioneve të tjera të autorizuara”, theksoi Nagavci.

Po ashtu mësohet se do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin apo rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë.

Po ashtu pritet të ketë edhe marrëveshje në fushën e sigurisë por të cilat deri më tani nuk janë bërë të ditura.

Të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të marrin lejen e qëndrimit në afat 5-vjeçar së bashku me lejen e punës në Shqipëri, vetëm me një aplikim të thjeshtë.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi duke  shtuar se kjo do të nënshkruhet të premten në takimin e përbashkët të mes dy vendeve.

“Sot, miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë të premten mes Shqipërisë dhe Kosovës që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektiv. Është lajm i mirë për shtetasit e Kosovës që do të marrin thjesht me një aplikim lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe leja e punës”, tha Çuçi.

Po ashtu, gjatë fjalës së tij, ai ka lënë të kuptohet se do të ketë edhe të tjera marrëveshje brenda sektorëve që përfshinë Ministria e Brendshme.

“Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi me procedura të thjeshtuara. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, ka shtuar ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë mbledhje së Qeverisë së Kosovës ka deklaruar se kanë përfunduar me sukses negociatat për këtë marrëveshje.

“Bëhet fjalë për të kërkuar rekomandimin për autorizim për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës lidhur me marrëveshjen për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Qeveria e Kosovës e përfaqësuar fillimisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka përfunduar me sukses negocimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të dy qeverive. Objektivi kryesor i kësaj marrëveshje është sigurimi i mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy shtetet duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës si dhe e drejta në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale, apo shtylla e dytë”, tha gjatë mbledhjes Murati.

Më tej, Murati shtoi se me këtë marrëveshje qytetarëve që kanë punuar një kohë të gjatë në Republikën e Shqipërisë do tu mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejt që këtë pension ta marrin në Kosovë.

Janë mbajtur dy raunde të negociatave, meqë rast palët kanë finalizuar tekstin e marrëveshjes së përgjithshme dhe marrëveshja parashihet të nënshkruhet edhe në mbledhjen e dy qeverive që planifikohet të mbahet këtë javë”, tha Murati.

Ky rekomandim i ministrit u miratua nga Qeveria e Kosovës, teksa  pritet nënshkrimi i saj të premten në Elbasan./Telegrafi