Manastirliu: 700 mijë lekë gjobë dhe mbyllje aktiviteti në zonat turistike nëse nuk zbatohen masat anticovid

Gjatë seancës së sotme plenare, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se përmes ndryshimeve të aktit normativ do të forcohen penalitetet në zonat turistike që nuk zbatojnë masat anticovid.

Sipas këtij vendimi parashikohet një gjobë në masën e 700 mijë lekëve të vjetër si dhe në rast përsëritje parashikohet mbyllja e aktivitetit.

Duke e vënë theksin te rëndësia e zbatimit të masave, Manastirliu e vuri kërkoi mirëkuptimin e biznesit dhe qytetarëve.

“Pavarësisht ashpërsimit të masave, një gjë është e sigurt, që këto masa të jenë të vlefshme, varet nga sjellja individuale. Sepse nuk është e mundur që pas çdo subjekti të kemi një inspektor, apo pas çdo personi që është konfirmuar pozitiv, i cili duhet të rrijë i izoluar, të kemi një polic”.

Duke theksuar se situata vijon të jetë serioze, Manastirliu është shprehur së qeveria ka marrë masat për përballimin e kësaj epidemie, duke forcuar gjurmimin, testimin dhe kapacitetet spitalore.

“Qeveria po punon çdo ditë dhe strukturat punojnë çdo ditë për ndërprerjen e zinxhirit të infektimit. Kur përpara pak kohësh inaguruam me kryeministrin Rama spitalin e ri dhe shtuam me 100 shtretër kapacitetin për trajtimin e pacientëve me COVID, atëherë thanë pse po bëhet kjo, virusi iku”.

Nëpërmjet ndryshimeve në aktin normativ, do të vendosen penalitetet për subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në stacionet e plazhit, që i thyejne rregullat, duke ndikuar direkt në përhapjen e infeksionit SARS COV2.