Malësi e Madhe/ Hapet pika e përbashkët kufitare me Malin e Zi në, Rama : Njerëzit të jenë të lirë si në BE

Është hapur sot në Grabom të Malësisë së Madhe pika e përbashkët kufitare me Malin e Zi, duke shënuar kështu edhe hapat e parë drejt lehtësimit të lëvizjes së re në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së pikës kufitare, kryeministri Edi Rama u shpreh se në këtë pikë të re kufitare me Malin e Zi, qëllimi është që njerëzit e rajonit të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE.

Sipas Ramës, nisma ‘Ballkani i Hapur’ është e ardhmja e përbashkët europiane e Rajonit dhe se “më herët se vonë, këtë do ta kuptojnë e do ta mbështesin të gjithë”, duke iu referuar kështu Kosovës, që ka refuzuar ti bashkohet. Rama deklaroi po ashtu se së shpejti do të ndërtohet edhe ura që lidh Velipojën ne Malin e Zi ndërsa shtoi se kjo duhet të shërbejë si një urë lidhëse mes Ballkanit. Ai theksoi se këto nisma po i afrojnë më shumë vendet e rajonit dhe shtoi se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është përjashtues për Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën.

Qëllimi ynë që njerëzit tanë të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE. Kjo është ajo që ndodh brenda Bashkimit Europian. Ku ka 2 pika bashkimit mes 2 vendeve nuk ka barriera, nuk ka pika kontrolli dokumentesh. Edhe në këtë synojmë këtu. Që të realizojmë 4 liritë e BE, lëvizje e lirë e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve. Ky është dhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, që synon pikërisht që njerëzit të ndjehen të lirë, të lëvizin të lirë” ka thënë Rama

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së pikës së përbashkët kufitare ishte edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq i cili e vuri theksin te bashkëpunimi, ndërsa tha se vendet nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, por se bashkë mund të bëjnë shumë