Lulzim Basha: Nuk kemi krizë, është korrupsion me shkak dhe plan! Shteti shiti energji në verë dhe bleu 4-fish më shtrenjt

Kreu i Partisë Demokratike, reagoi ndaj kryeministrit Rama, pas deklaratave të këtij të fundit, i cili u shpreh se qeveria ka shpallur krizën energjetike dhe të shtunën do të prezantohet plani për të përballur këtë situatë.

Basha mohoi krizën, duke theksuar se bëhet fjalë për krizë korrupsioni, keqmenaxhimi, me shkak dhe me plan.

“Kur tellalli i të keqes doli për të nxitur frikë dhe ankth ishte shtimi i kushteve të presionit te njerëzit, për atë që ai planifikon të bëjë, rritjen e çmimit të energjisë. Sot foli jo si një kryeministër, por si një avokat i klientëve me të cilët po ndan si plaçkë dhe resurset. Nuk ka asnjë paralelizëm mes asaj që po ndodh në Shqipëri dhe situatës së përkohshme në Europë.

Edhe përpjekje për t’i qarë hallin kalorësit, për të justifikuar atë që ai ka në plan të bëjë me çmimin e energjisë është një teatër mashtrimesh, për t’iu gënjyer, për të bërë të duket se rritja e çmimeve është e pashmangshme.

Në fakt, nuk është kështu. Nuk është një krizë energjetike, por një krizë korrupsioni, keqmenaxhimi, me shkak dhe me plan. Ne verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji dhe e blejnë me 3 apo katërfish pak muaj më vonë në tendera korruptive. E kam thënë se OSHEE dhe KESH janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion”, u shpreh Basha.

Për kreun e opozitës, “Rama do ta përdorë këtë fatkeqësi njësoj si fatkeqësitë e tjera për të mbushur gropat që ka hapur në buxhet”.