Kryeministri Rama: Tre pikat e qeverisë për mbrojtjen nga kriza energjitike…

Pas shpalljes një ditë më parë të emergjencës për furnizimin me energji elektrike, kryeministri Edi Rama po prezanton paketën e masave për menaxhimin e kësaj krize.

Sipas Ramës kjo paketë është në kuadër të mbrojtjes së qytetarëve dhe biznesit të vogël nga efektet e rënda që do të kishte një rritje e pakontrollueshme e çmimeve në ekonominë e tyre.

“Ka tre pika. E para garantimin pa ndërprerje të energjisë. Mbrojtja e familjes dhe bizneseve të vogla nga rritja e energjisë.  E treta garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun.” tha Rama.

Një ditë më parë Rama tha se kjo krizë është e diktuar nga klima e që ka prekur të gjithë Europën, Ndërkohë ai ka shtuar se kriza do të ketë kulmin e saj në mesin e vitit të ardhshëm, teksa theksoi se edhe pas tejkalimit të saj, çmimi i energjisë nuk do të kthehet më në nivelet e tanishme.