Kokat e njëri-tjetrit s’mjaftojnë/ 7 të vdekur, 5 të plagosur, Shkodra ‘Kryeqytet’ i vrasjeve për 2022…

Nga Elkier Bushkolaj/

Breshëria e plumbave në një atentat të stilit mafioz mbrëmjen e së dielës,  i preu jetën në mes 19-vjeçarit shkodran, Erjon Xhenje.

Faji i vetëm i Erjon Xhenjës ishte ai  të qenit  kushëriri i parë i disa personave më të shkuar kriminale, e në një vend kur shteti nuk siguron rendin, hakmarrja plekset me gjakmarrjen, e duke shkelur çdo kod të kanunit, merr edhe jetë të pafajshme.

Krimi ndodhi në një lokal, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, teksa për ironi të fatit vetë  Bujar Bishanaku 3 dekada më parë  do të ishte viktimë e tranzicionit të përgjakur që përjetoi Shqipëria, pasi do të ishte një prej 4 të vrarëve të masakrës së 2 prillit në Shkodër.

2022 rezulton një vit kur krimi ka marrë revansh në metropolin e veriut, që për shkak të mungesës së vullnetit të organeve të rendit,  më shumë së kurrë i ngjason Palermos së viteve 1970.

Jo më larg se të shtunën dëgjuam kreun e qeverisë, që e cilësoi si të fituar betejën me krimin, por pas çdo deklarate të tillë propagandistike, krimi godet si për të na treguar se kush e ka pushtetin e vërtetë në këtë vend.

Sagën e   ngjarjeve kriminale për vitin 2022  në Shqipëri do ta hapte atentati me armë zjarri  ndaj 34 vjeçarit Kastriot Piroli, në Shkodër, mbrëmjen e 4 janarit.  Piroli mbeti i plagosur rëndë, teksa dyshimet lidhen me një vrasje të kryer  në Mal të zi nga Piroli.

Në 13 shkurt të 2022 në Shkodër do të ekzekutohej 48-vjeçari Prek Tonaj.

Në 9 mars të këtij viti, Admir Bajri, 38 vjeç, u qëllua me breshëri plumbash teksa  mbeti i plagosur rëndë.

Në 12 prill në një atentat tipik mafioz do të ekzekutohej me breshëri automatiku në Shkodër, Nazmi Bandula, një emër mjaft i njohur për blutë e metropolit verior.

Mbrëmjen e 19 Prillit 2022  në Shkodër do të plagosej shtetasi Edi Reçaj në zonën e Perashit në Shkodër. Misteri mbuloi këtë ngjarje.

Në 3 qershor të 2022 në një atentat mafioz që tronditi Shkodrën do të vritet Naim Bajri dhe i plagosur mbeti shoku i tij, Astrit Zeneli.

Në 14 Qershor 2022 shtetasi Pjerin Bushtulli do të binte pre e një atentati mafioz në Velipojë, ku për pasojë mbeti i plagosur rëndë.

75 vjeçari Lulash Qepuri do të mbetej viktimë e një atentati mafioz pranë banesës së tij  në Stom Golem mbrëmjen  e 15 qershorit 2022.

Në 23 gusht  të këtij viti  pas një debati në një lokal në Shelqet, Agron Metushi do të vritet nga Alfond Palushi.

Në datën 2 shtator 2022 do të vritet pranë banesës së tij në Kiras, 57 vjeçari Ismet Çakorja, teksa vetëm 4 ditë më parë përmes një apeli ne media njoftoi se jeta e tij është në rrezik.

Mbrëmjen e 18 shtatorit krimi do shënonte viktimën e radhës, ku plumbat e qitësve profesionistë i morën jetën 19 vjeçarit Erjon Xhenje.

Shumë prej këtyre vrasjeve do të arkivohen si të pazbardhura nga autoritetet edhe pse mbarë Shkodra i di porositësit dhe autorët.

5 efektivë të Policisë së Shkodrës përgjatë këtij viti kanë qenë target i kanosjes nga djegia e pronës deri tek vendosja e tritolit nëpër banesa.  Faji i vetëm i tyre ishte pjesëmarrja në operacionet antikanbis në Dukagjin.

Shkodra ndër shekuj i ka mbijetuar shumë pushtuesve, por krimi duke gjetur terren nga indiferenca e strukturave të rendit, kryesisht ato qendrore, po kërkon të nënshtrojë këtë treve fisnike.